Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pas njoftimit të saj për paraqitjen e një padie ndaj një qytetari për të cilin ka thënë se është tallur me postimin e saj për tentim dhunimin e një 14-vjeçareje, ka thënë se pedofilët dhe ata të cilët i normalizojnë e tallen me këto krime nuk dallojnë dhe aq.
Kështu është shprehur ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook. Haxhiu të hënën e pesë shtatorit kishte paralajmëruar se do ta lajmëronte në polici personin në fjalë, dhe se sipas saj personat e tillë duhet të ndiqen penalisht.
“Relativizimi dhe përqeshja e pedofilisë, vetëm sa do ta rëndojë situatën dhe do t’i shtojë pedofilët e do ta normalizojë këtë krim”, ka shkruar Haxhiu.
Ndryshe, Haxhiu, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Facebook kishte bërë të ditur se të hënën e pesë shtatorit një burrë e ka njoftuar në ministrinë që ajo udhëheq se në dhjetor të vitit 2021, ka pasur një tentim për dhunimin e vajzës së tij 14-vjeçare.
“Sot, prindi i një vajze 14-vjeçare erdhi në Ministrinë e Drejtësisë, na njoftoi që, në dhjetor të vitit 2021, ka pasur tentim dhunim të vajzës së tij 14-vjeçare”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka shtuar se emri i personit të dyshuar për këtë vepër dihet, por ai nuk është dënuar dhe vazhdon të jetë i lirë.
“Ndonëse emri dhe mbiemri i personit të dyshuar dihet, i njëjti nuk është dënuar dhe as nuk është në burg. Personi i dyshuar është i lirë”, ka shtuar Haxhiu.
Ky raportim vjen në vazhdën e shumë raportimeve të tjera që po ndodhin si pasojë e rastit të dhunimit të 11-vjeçares nga pesë burra në Prishtinë, për të cilin rast është organizuar një protestë në Prishtinë të mërkurën e 31 gushtit nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.