Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut, në një komunikatë për media ka bërë të ditur se përkundër shtimit të presionit ditëve të fundit, greva në arsim do të vazhdojë.
Në njoftim thuhet se këto ditë ka pasur presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, sipas tyre, me anë të postimeve të rrejshme, duke e përmendur edhe tentimin e së hënës për sulm fizik ndaj tij.
“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut po përcjell në vazhdimësi tani e 13 ditë rrjedhën e grevës në institucionet arsimore, ku ka vërejtur se ditët e fundit ka presione të vazhdueshme ndaj kryetarit të SBASHK-ut z.Jasharaj, duke u munduar ta shantazhojnë e etiketojnë me postime të rrejshme, pastaj përgatitja e tentim sulmit fizik gjatë vizitës së tij që u bëri grevistëve”, thuhet në njoftim.
Presionet sipas tyre po vijnë nga Qeveria e Kosovës duke e përmendur vizitën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në komunën e Podujevës, nga ku kishte bërë thirrje që greva të ndalej.
“Presionet janë të vazhdueshme edhe nëpër disa komuna, shkolla dhe çerdhe, si nga ana e Qeverisë – rasti i djeshëm i vizitës së Kryeministrit Kurti në Podujevë, ashtu edhe nga një numër i vogël i prindërve me fëmijët e tyre (nxënësit) që tentojnë ta thyejnë grevën”, thuhet në njoftimin e SBAShK-ut.
SBAShK-u ka paralajmëruar padi ndaj atyre që përhapin dezinformata. Sipas kësaj sindikate, përhapja e dezinformatave ka për qëllim përçarjen e anëtarësisë së tyre.
“Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut është duke i përcjellë me vëmendje dezinformatat nga kushdo qoftë, të cilat kanë qëllimin e vetëm përçarjen e anëtarësisë sonë. Të gjitha këto do t’i paraqesim pranë organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.
Këshilli Qendror Grevist i SBASHK-ut i ka bërë thirrje edhe Policisë së Kosovës, t’i përcjellin rastet sikurse ai i ditës së hënë, ku një qytetar kishte tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.
Ndërkaq, Policia e Kosovës ka njoftuar se personi i cili kishte tentuar ta sulmonte Jasharajn, është arrestuar.