Siguria në Evropë, duke përfshirë edhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, po konsiderohet të ketë shumë rëndësi për kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron.
Interesimin e tyre për të ndihmuar në procesin e dialogut për marrëveshjen që ka në qendër njohjen reciproke, e ka mirëpritur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Kosova e kupton rëndësinë e integrimit evropian në zemrën e të cilit për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi, dhe neve në veçanti, ndodhet Gjermania dhe Franca. Andaj, ne e mbështesim faktin që dy shtete kaq të rëndësishme evropiane dhe njohëse të republikës sonë që nga fillimi, do të ndihmojnë ndërmjetësimin e Brukselit për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që e ka në qendër njohjen reciproke”, ka thënë Kurti pas ceremonisë së shënimit të 23-vjetorit të Policisë së Kosovës, shkruan KP.
Teksa ka folur për respektimin e marrëveshjes për dokumente për hyrje-dalje me Serbinë, kreu i ekzekutivit ka thënë se në pikat kufitare mes Kosovës dhe Serbisë vlen reciprociteti, por liria e lëvizjes duhet të jetë liri e plotë e lëvizjes.
“Në pikat kufitare po vlen reciprociteti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi insistuar për liri të lëvizjes dhe ajo do të nënkuptonte liri të plotë të lëvizjes, pasi liria e cunguar nuk është liri. Këtë gjë, zëvendëskryeministri është duke e adresuar edhe me ndërmjetësit. Për në pikat kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, padyshim që ajo vlen. Veçse unë e kuptoj se nuk mund të kemi liri të cunguar apo të pjesshme të lëvizjes”, shtoi ai.
Ndryshe, Kosova dhe Serbia do të presin sërish për vizitë të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Lajçak gjatë kësaj vizite do të jetë i shoqëruar nga dy këshilltarët e Gjermanisë dhe Francës.
Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, ka konfirmuar angazhimin e forcuar të Gjermanisë dhe Francës në normalizimin e dialogut Kosovë-Serbi, shkruan DË.
“Qëllimi i vizitës, sipas Hebstreit, do të jetë për të parë opsionet e mundshme në përparimin e normalizimit të marrëdhënieve”.
Nisur nga tensionet e kohëve të fundit, që të dy kanë ngarkuar këshilltarët e jashtëm, Jens Plöttner dhe Emmanuel Bone, që t’i mbështesin në mënyrë të drejtpërdrejtë përpjekjet e të ngarkuarit të BE-së, Miroslav Lajçak, është shprehur Hebestreit.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër të përbashkët nga kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.
“Po ju adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’ju bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpien drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letër.
Kjo letër, sipas tyre, vjen në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale”.
Ata kanë propozuar që “këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”.
“Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik. Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tanë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”.