Greva e mësimdhënësve në Kosovë ka hyrë në ditën e 13-të. Përkundër kërkesave të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që mësimi në shkolla të fillojë, këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se greva nuk do të ndërpritet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Për të biseduar rreth grevës, në lidhje direkte në “Magazina” në Radio Dukagjini u paraqit Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës dhe kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së.
Në paraqitjen e tij Jasharaj deklaroi se nuk është mirë me shëndet, por e ndien për obligim ta vazhdojë kryerjen e detyrës e cila i është besuar.
Ai ka theksuar se me çështjet e grevës po merret më shumë këshilli grevist, por sipas informacioneve që ka, greva vazhdon të jetë unike në përgjithësi, përkundër tendencave për ta zbrapsur atë.
Jasharaj ka lutur të gjithë që janë akterë në çështjen e grevës që të ketë një dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje. Ai shton se kërkesat e grevës nuk janë vetëm të sektorit të arsimit, por edhe të shërbyesve civilë, policisë, zjarrëfikësve, doganave e të tjerëve.
Kreu i SBASHK-ut deklaroi se vizitat që kryeministri Albin Kurti po i bën në komuna të caktuara nuk i ndihmojnë zgjidhjes së çështjes. Zgjidhjes sipas tij nuk i ndihmon as presioni i kryeministrit, deputetëve e prindërve, sepse me presion nuk mund të çartësohet situata. Në vend të shantazheve e kërcënimeve që mund të ndodhin e kanë ndodhur, Jasharaj thotë se duhet bërë dialog për ta zgjidhur çështjen.
Ai thekson se prindërit duhet t’i drejtohen me kërkesë Qeverisë që të veprojë dhe të dialogojë, e të mos bëjnë presion te mësimdhënësit grevistë, pasi kjo është e ndaluar edhe me ligj.
Jasharaj thotë se asnjë presion nuk do ta ndalë atë në kryerjen e detyrës së tij.
“Pavarësisht fyerjeve e shantazheve dhe goditjeve të tjera eventuale, unë do të vazhdoj të jem me mësimdhënësit e Kosovës, sepse jam në rrugën e zotit dhe jam zëri i tyre, dhe këtë besim që ma kanë dhënë do ta mbaj pavarësisht situatës se çfarë do të ndodhë“.
Jasharaj nënvizon se nëse Qeveria ka vullnet, brenda një dite mund të fillojë zgjidhja e problemit. Sipas tij, grevistët janë të gatshëm për dialog kurdo që është e gatshme Qeveria, për t’i kthyer gjërat në normalitet. Ai shton se kërkojnë dialog që është e drejtë e tyre, nuk po japin ultimatum, por kërkojnë që së bashku me Qeverinë të gjejnë zgjidhje të pranueshme, pasi i obligon fati i fëmijëve dhe e ardhmja e Kosovës.
Lidhur me kryeministrin, Albin Kurti, Jasharaj ka deklaruar se është takuar dhe ka bashkëpunuar me të gjatë kohës së pasluftës, kur ai ishte kreu i Vetëvendosjes, mirëpo deklaron se atëherë Kurti kishte ideologjitë e tija të cilat nuk i ka më.
Së fundmi, lidhur me zgjatjen e mundshme të grevës, Jasharaj deklaroi se greva nuk mund të mbyllet pa thënë anëtarësia e Këshillit Grevist, dhe ata janë të bindur se greva nuk mund të përfundojë pa u përmbushur kërkesat e tyre që janë minimale dhe të drejta.