Nënkryetari i sindikatës së re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, ka deklaruar se ndonëse nuk ka ndonjë shkresë zyrtare, ekziston vullneti që presidenca të jetë ndërmjetësuse midis BSPK-së dhe Qeverisë së Kosovës, që të dyja palët të ulen, të diskutojnë dhe të darkordohen për një marrëveshje, në mënyrë që greva e sindikatave të ndërpritet.
Në një lidhje direkte në “Magazina”, në Radio Dukagjini, Llumnica është shprehur optimist që kërkesat e tyre do të realizohen në kohë, në mënyrë që të mos vonohet hapja e dyerve të shkollave për nxënësit.
“Është inicuar nga presidentja ndërmjetësimi mes BSPK-së dhe Qeverisë së Kosovës, ajo ende nuk është arritur, përveç premtimit që ka pasur kryeministri i Kosovës për 50 euro ngritje të pagave brenda vitit, ose mund ta quaj një ndihmë. Përveç kësaj nuk ka pasur ndonjë negociatë mes qeverisë dhe BSPK-së”, është shprehur ai.
“Presidentja e ka një vullnet të mirë për ndërmjetësim mes qeverisë dhe BSPK-së, besoj që do të realizohen kërkesat me kohë, në mënyrë që të mos vonohet hapja e shkollave, për arsye se ne nuk e kemi dëshirë atë, mirëpo, nëse nuk ka ngritje të standardeve, nuk ka cilësi të arsimit”, shtoi Llumnica.
Megjithatë, Llumnica shpreson që së shpejti vendi të dalë nga kjo situatë, ngase siç thotë ai, “nuk e lakmon askush”.
“Nuk ka ardhur si shkresë, nuk ka ardhur një diçka e tillë, por iniciativa e saj ka qenë edhe më herët janë takuar këshilli grevist dhe shpresojmë që në të ardhmen do të takohemi. Kështu që shpresoj që së shpejti të dalim nga kjo situatë, për arsye se nuk e lakmon askush”.
Ndërkaq, greva e mësimdhënësve në Kosovë ka hyrë në ditën e 13-të. Përkundër kërkesave të Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që mësimi në shkolla të fillojë, këshilli grevist i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës thotë se greva nuk do të ndërpritet deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Për të biseduar rreth grevës, në lidhje direkte në “Magazina” në Radio Dukagjini u paraqit Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës dhe kryetar i Këshillit Grevist të BSPK-së.
Në paraqitjen e tij, Jasharaj deklaroi se nuk është mirë me shëndet, por e ndien obligim ta vazhdojë kryerjen e detyrës e cila i është besuar.
Ai ka theksuar se me çështjet e grevës po merret më shumë këshilli grevist , por sipas informacioneve që ka, greva vazhdon të jetë unike në përgjithësi, përkundër tendencave për ta zbrapsur atë.
Jasharaj ka lutur të gjithë që janë akterë në çështjen e grevës, që të ketë një dialog mes Qeverisë dhe Këshillit Grevist të BSPK-së, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje. Ai shton se kërkesat e grevës nuk janë vetëm të sektorit të arsimit, por edhe të shërbyesve civilë, policisë, zjarrëfikësve, doganave e të tjerëve.
Kreu i SBASHK-ut deklaroi se vizitat që kryeministri Albin Kurti po i bën në komuna të caktuara nuk i ndihmojnë zgjidhjes së çështjes. Zgjidhjes sipas tij nuk i ndihmon as presioni i kryeministrit, i deputetëve e prindërve, sepse me presion nuk mund të qartësohet situata. Në vend të shantazheve e kërcënimeve që mund të ndodhin e kanë ndodhur, Jasharaj thotë se duhet bërë dialog për ta zgjidhur çështjen.
Ai thekson se prindërit duhet t’i drejtohen me kërkesë Qeverisë, e cila duhet të veprojë dhe dialogojë, e të mos bëjnë presion te mësimdhënësit grevistë, pasi kjo është e ndaluar edhe me ligj.
Jasharaj thotë se asnjë presion nuk do ta ndalë atë në kryerjen e detyrës së tij.