Prokuroria Themelore në Prishtinë, në fillim të muajit shtator ka filluar hetimet për mosraportim të pasurisë ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj, e cila ka theksuar se prokurori i shtetit ka pranuar kallëzimin penal ndaj Berishajt.
“Mund të konfirmoj që kanë filluar hetimet për mosraportim të pasurisë për vepra të cilat janë të paraparë në nenin 430 të kodit penal”, ka thënë ajo për Kallxo.com.
Ndryshe, më 17 gusht, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu, kishte njoftuar se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka pranuar nga Agjencioni Kundër Korrupsionit kallëzim penal kundër personit me inicialet M.B. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kallëzimin penal e ka dërguar në kompetencë në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu për Portali Dukagjini.
Për dorëzimin e kallëzimit penal ndaj ambasadorit Berishaj, gjatë së mërkurës së 17 gushtit, kishte njoftuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka kërkuar edhe shkarkimin e Berishajt.
Kështu ka njoftuar zëdhënësja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.
“Agjensioni Antikorrupsion sot ka dorëzuar përfundimisht kallëzim penal ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj; mbi faktet shokuese të bëra publike muaj më parë. Kallëzimi penal është përfundim logjik ndaj një skandali të fshehjes së të hyrave prej gjysmë milioni”, ka shkruar ajo.
“Prandaj, deri në përfundimin e rastit në fjalë, kërkojmë shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj, siç dhe kërkojmë sqarimin e secilit zyrtar publik, që në fillet e shpërthimit të këtij skandali, kishin garantuar dhe marrë në mbrojtje ambasadorin në fjalë”, shtoi Sadriu.
Ajo ka thënë se hapja e hetimeve, por edhe përfshirja e një ambasadori të Kosovës në skandale ndërkombëtare financiare, dëmtojnë rëndë imazhin e vendit.
Pos Lidhjes Demokratike të Kosovës, edhe Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, në një konferencë për media ka thënë se është skandaloze që përkundër fakteve që janë bërë të ditura më parë, ambasadori Berishaj është mbrojtur nga krerët e institucioneve.
“I tillë çfarë ishte si rast, ka hapur shumë pyetje dhe dilema, ndërkaq për këtë rast, nga ana e pushtetarëve ka pasur pak e hiç përgjigje dhe ato ishin të çuditshme dhe të paargumentuara. E për rrjedhojë, krejt kjo ka ngjallur me të drejtë dhe pandalshëm shumë dyshime. Për ne si Parti Demokratike ka qenë skandaloze se edhe përkundër fakteve që janë sjellë më herët për këtë rast, ambasadori Martin Berishaj është mbrojtur nga pushtetarët aktualë, madje edhe nga kryeministri edhe nga presidentja”, tha ai.
Sipas tij, mbrojtja e ambasadorit Berishaj me kaq konsekuencë dhe për një periudhë kaq të gjatë nga Kurti dhe Osmani vazhdon të jetë enigmatike.
Ndryshe, sipas mediave sllovene, Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku parat e dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.
Më pas, sipas mediumit slloven, thuhet se ato mjete financiare i dërgoheshin një politikani slloven para se të përfundonin në një kompani tjetër në Itali.
Këto transfere parash kanë çuar deri te hetimi i politikanit slloven, Golob.
Pagesat nga dega e kompanisë energjetike serbe GEN-I, të cilat ekzekutoheshin në kompaninë e Berishajt, “MB Consulting”, bëheshin në emër të konsultës, me përshkrimin se janë pagesa për këshillime profesionale.
Skandali financiar, në të cilin është përfshirë Berishaj, kap shumën e rreth 600 mijë eurove, të cilat ai i tërhiqte nga llogaria e “kompanisë së tij fiktive” dhe fizikisht ia dorëzonte politikanit slloven.
Tërheqja e parave nga ambasadori Berishaj, sipas mediave sllovene, ishte bërë nga dy llogari.
“197 mijë euro i ka tërhequr nga llogaria personale, ndërsa pjesën tjetër, 320 mijë, i ka tërhequr nga një llogari tjetër”.
Berishaj në zgjedhjet e fundit në Kosovë kishte mbështetur Lëvizjen Vetëvendosje, dhe pas fitores së kësaj të fundit, ai është emëruar ambasador në Zagreb.