Të martën e gjashtë shtatorit, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Besim Kelmendi, e ka kryesuar takimin e radhës së Kolegjiumit të kryeprokurorëve të prokurorive të vendit, në të cilin kanë marrë pjesë edhe kryeprokurorët, të deleguarit e prokurorive përkatëse dhe prokurorët e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.
Qëllimi i këtij takimi, sipas njoftimit të Prokurorisë së Kosovës, ka qenë se rastet e dhunës seksuale dhe rastet e dhunës në familje të trajtohen me përgjegjësi më të lartë.
Kryeprokurori Kelmendi ka kërkuar “nga të gjithë që çdo lëndë të trajtohet me përgjegjësi të lartë”, e në veçanti rastet e dhunës seksuale dhe dhunës në familje, sepse sipas tij, vetëm kështu “përfaqësohet dhe mbrohet me dinjitet dhe profesionalizëm pranë secilës instancë gjyqësore”.
“Lidhur me këto raste, bazuar në shifrat zyrtare, kryeprokurorët raportuan për prokuroritë që ata drejtojnë, dhe, me këtë rast, u diskutuan çështjet dhe praktikat që kanë të bëjnë me veprimet procedurale dhe ligjore në trajtimin e rasteve penale, konkretisht atyre të dhunës në familje dhe dhunës seksuale”.
“Në këtë kontekst, u.d. kryeprokurori Kelmendi, ka dhënë rekomandimet e nevojshme lidhur me vëmendjen që duhet pasur secila prokurori në rrugën që është përpara, dhe ka kërkuar zbatimin e përpiktë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, akteve të tjera ligjore dhe nënligjore sa i përket secilit rast, pa dallim, zbatim ky që ndikon në rritjen e efikasitetit gjatë trajtimit të këtyre rasteve dhe të gjitha rasteve të tjera penale”, thuhet në Komunikatën e Prokurorisë së Shtetit.
Sipas tyre, në këtë takim është diskutuar edhe respektimi i mekanizmave të cilat sigurojnë “të drejtat e viktimave, të drejtat e të pandehurve dhe të drejtat e të miturve në procedurë penale, përfshirë edhe ato të personave me çrregullime mendore”.
Kolegjiumi ka diskutuar për Kodin e Ri të Procedurës Penale, që sipas tyre i kanë porositur prokurorët, që në bazë të rolit dhe kompetencave të secilës instancë të prokurorisë duhet të bëhet zbatimi në mënyrë efikase i këtij Kodi.