Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka shpërndarë rezultatet e provimit të maturës në shkollat e vendit, rezultate këto që tregojnë se 2384 maturantë kanë kaluar me sukses.
Provimi ishte paraqitur nga 5084 nxënës mirëpo vetëm 3958 kanë marrur pjesë. Nga pjesëmarrësit, 60.2% maturantë kanë kaluar me sukses këtë test në afatin e gushtit ndërsa arritshmëria mesatare në test është 43.2%.
“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka bërë shpërndarjen e rezultateve të Provimit të Maturës në shkolla, sipas të cilave 2384 nxënës apo 60.2% maturantë kanë kaluar me sukses këtë test në afatin e gushtit. Arritshmëria mesatare në test është 43.2%”, ka shkruar MASHT-i në, Facebook.
Provimi i Maturës është mbajtur më 27 gusht të këtij viti, në 59 qendra të testimit. Ndërkaq, në këtë proces janë angazhuar 177 komisionerë, 70 mbikëqyrës, 50 vëzhgues nga organizata rinore KYC, si dhe 600 administrues.
Të shtunën e 18 qershorit, rreth 22 mijë maturantë në Kosovë iu nënshtruan provimit të maturës.