Greva e nisur nga Sindikata e Arsimit e cila ka hyrë në ditën e 13-të po iu pamundëson nxënësve që të nisin mësimin.
Në ndërkohë, Ministria e Arsimin nuk ka dhënë ndonjë zgjidhje të re për gjithë këtë situatë, e ndërsa shumë nxënës shumë pranë e kanë shkollën, por në bankat e tyre nuk mund të ulen. Por pjesët rekreative të institucioneve mësimor po shfrytëzohen nga fëmijët.
E Azem Azemit i cili doli pranë shkollës me nipin e tij, nuk po i pëlqen situata e krijuar.
“Në vend që me të shkojë në shkollë po duhet me i qitë tash me shëtitë nëpër Këto kënde që i kanë fëmija. Mjerisht shumë keq me u mbyllë shkollat në fillim vitit shkollorë mbase edhe sindikalistit kanë të drejt por edhe ata duhet me kuptojnë situatën politike si është”, ka theksuar Azem Azemi – Gjysh.
Disa prindër po angazhojnë edhe kujdestare për fëmijët e tyre.
Fatime Bllaca, ka thënë se dëshirë e fëmijëve është të kthehen në shkollë.
“Fëmija shumë po kanë qejf, shikoje ky po i vogël është edhe po thotë pse nuk po shkoj në kopsht e le më kjo tjetra që e ka pritë shumë gjatë me hy në klasë të parë. Grevën nuk po e dinë çka është por po e dinë që diçka nuk është në rregull”, ka thënë Fatime Bllaca – Kujdestare.
Si situate aspak të mirë për t’i vazhduar ato, po konsideron njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj.
“Në këtë kontekst, duke e ditur që kemi dy vite që kemi humbur për shkak të pandemisë ateherë kuptojmë që gjendja e tanishme nuk lejon luksin e vazhdimit të çfarëdo grevë në sistemin arsimor kosovar”, Ka thënë Xhavit Rexhaj – Njohës i Arsimit.
Greva mund të vazhdojë nëse nuk ka dakordim ndërmjet BSKP-së dhe Qeverisë, kanë thënë nga SBASHK-u.
E për këtë Ministria e Arsimit, në një përgjigje për Dukagjinin tha se i është përgjigjur kërkesave të Sindikatës.
“Janë ngritur koeficientet në të gjitha kategoritë e mësimdhënësve dhe stafit tjetër të shkollave. Kemi eliminuar padrejtësitë e shumë punonjësve të sektorit të arsimit si bibliotekist, psikolog, pedagog dhe sekretar në raport me ligjin e kaluar. Pra, nuk ka asnjë shqetësim të mësimdhënësve që nuk e kemi adresuar”, ka theksuar Ministria e Arsimit.
Ministria tutje ka apeluar që të mos humben orët e mësimit dhe mësimdhënësit të kthehen në shkolla.
Greva në arsim ka filluar zyrtarisht nga data 25 gusht. Sindikalistët po kërkojnë nga 100 euro shtesë në pagë, deri në implementimin e Ligjit të Pagave.