Të martën e pesë shtatorit ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë, Christine Lambercht gjatë takimit me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj në Berlin, e ka siguruar homologun e saj kosovar se do ta ketë mbështetjen e Gjermanisë në procesin e transformimit të Ushtrisë së Kosovës.
Gjithashtu, ajo ka përshëndetur marrëveshjen e arritur kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës për rregullat e hyrje-daljeve. Por, ajo paralajmëroi se “do të duhet frymëmarrje e gjatë”.
“Pa paqe në Ballkan, nuk ka stabilitet në Evropë“, ka shkruar në Twitter, ministrja Lambrecht.
Ndërsa në takim, ajo theks të veçantë i kishte kushtuar edhe normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, bjënë me dije burimet e DW.
Ministra e Mbrojtjes, Christine Lambrecht “ofroi mbështetjen në vizionin tonë[Kosovës] për anëtarësim në Organizatën Veri Atlantike(NATO)”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj po qëndron në një vizitë zyrtare dy ditore në shtetin gjerman ku edhe është mirëpritur nga ministrja e Mbrojtjes, Christine Lambrecht në Bundeswehr.
Më tej, Ministria e Mbrojtjese së Kosovës ka njoftuar se Mehaj dhe Lambrecht kanë diskutuar për situatën e re gjeopolitike dhe sfidat në mjedisin aktual të sigurisë.
Tutje aty thuhet se “të dy ministrat diskutuan edhe nivelin e bashkëpunimit bilateral në fushën e mbrojtjes si dhe fushat për thellimin e mëtejmë mes dy ministrive respektive”.
Gjermania ofroi mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO