Australiani iu bashkua McLaren në vitin 2021 për një marrëveshje trevjeçare, për të garuar së bashku me Lando Norris, dhe ndërsa ai siguroi fitoren e parë të ekipit që nga viti 2012 në Monza vitin e kaluar – me Norrisin fitoren e dytë – ai ka luftuar për të arritur ritmin mbresëlënës të shokut të tij të skuadrës.
Në prag të Çmimit të Madh të Belgjikës, përderisa Formula 1 kthehet nga pushimi i saj veror, Ricciardo dhe McLaren njoftuan se do të përfundonin nëntë garat e fundit të vitit së bashku përpara se t’i ndajnë rrugët e tyre.
McLaren thonë se ata do të njoftojnë se kush do të jetë partner i Norris në 2023 “në kohën e duhur”. Ricciardo do të bëjë të njëjtën gjë në lidhje me planet e tij të së ardhmes, por sugjeroi se ai dëshiron të qëndrojë në F1.
Për Formula 1 australiani u shpreh “Ka qenë një privilegj të jem pjesë e familjes McLaren Racing për dy sezonet e fundit, por pas disa muajsh diskutimesh me Zak [Brown, CEO i McLaren] dhe Andreas [Seidl, Drejtor i Ekipit] ne kemi vendosur të ndërpresim kontratën time me ekip më herët dhe ramë dakord të ndërprejmë bashkëpunimin në fund të këtij sezoni”.
“Do të tregoj planet e mia të ardhshme në kohën e duhur, por pavarësisht se çfarë do të sjellë ky kapitull tjetër, nuk jam penduar dhe jam krenar për përpjekjet dhe punën që dhashë për McLaren, veçanërisht fitoren në Monza sezonin e kaluar.
“Më ka pëlqyer të punoj me të gjithë në McLaren si në pistë ashtu edhe në Woking dhe do të jap gjithçka brenda dhe jashtë pistave gjersa shijojmë pjesën e mbetur të sezonit së bashku. Nuk kam qenë kurrë më i motivuar për të konkurruar dhe për të qenë pjesë e një sporti që e dua aq shumë dhe pres me padurim atë që vjen pas.”
Seidl tha: “Do të doja të falënderoja Danielin për përkushtimin dhe kontributin e tij gjatë dy sezoneve të fundit deri më tani. Pavarësisht sfidave të përbashkëta, ai është shfaqur gjithmonë me shpirt luftarak dhe pozitivitet dhe ka ndihmuar të gjithë ekipin të vazhdojë gjithmonë përpara.Nuk do ta harrojmë kurrë atë fitore të paharrueshme të garës në Monza, e cila ishte një nxitje e madhe për të gjithë ekipin. Ne kemi ende një betejë të rëndësishme në ‘constructors championship’ përpara nesh dhe për pjesën e mbetur të sezonit dhe mezi presim ta luftojmë këtë me Danielin dhe Landon.”
Ricciardo është aktualisht i 12-ti në renditjen e pilotëve me 19 pikë, 57 pikë larg Norris pas 13 Grand Prix.