Më datën katër shtator, Policia e Kosovës e ka arrestuar Danijel Vasiljeviq, pasi ky i fundit e kishte ngacmuar vajzën e kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, në rrjetin social Facebook, duke postuar fotografi të saj.
Gjithashtu, policia ka njoftuar se ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokurori i rastit, për procedurë të mëtejme hetimore.
“Më datën 04.09.2022 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion/ denoncim nga personi D. J. së bashku me vajzën e tij M.J, të cilët kanë deklaruar se në vazhdimësi i dyshuari D. V përmes rrjeteve sociale i ka ngacmuar viktimat duke i postuar fotot e tyre në rrjete sociale”.
“I dyshuari është shoqëruar në policinë rajonale të Ferizajt dhe me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
“Danijel Vasiljeviqi ka pasur ftesë nga Policia e Kosovës edhe për veprat ngacmimi dhe kanosje ndaj kryetarit të Komunës së Shtërpcës”, ka thënë avokati i të dyshuarit, Danijel Vasiljeviq, Mentor Neziri.
Sipas Nezirit, nuk ka pasur asnjë kanosje direkete, por ”ka pasur një postim në rrjetin social Facebook, që më shumë ka qenë një postim shakaje, sesa që ka qenë kërcënim apo të ketë pasur ndonjë prapavijë personale ndaj kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq ose vajzës së tij”.
Avokati i të arrestuarit ka folur për Portalin Dukagjini, në lidhje me mundësinë që Vasiljeviq të ketë hyrë në grevë urie, pasi edhe familja e tij ka thënë se klienti i tij është arrestuar padrejtësisht për shkak të ”presioneve politike, sidomos të kryetarit të qytetit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, dhe është duke u konsideruar se është kryekëput burgim politik, që nuk ka të bëjë asgjë me kushte ligjore me të cilat caktohet paraburgimi”.
Më tej ai ka treguar se familjaret e të arrestuarit kanë paralajmëruar se nëse birit të tyre i caktohet masa e paraburgimit, ata do të hyjnë në grevë urie dhe do t’i prezantojnë qëndrimet e tyre para mediave.