Ish-deputetja e Listës Guxo, Doarsa Kica– Xhelili, të mërkurën në orën 14:00 do të bëhet zyrtarisht anëtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
RTV Dukagjini ka mësuar nga burimet e saj brenda LDK-së, se aderimi i saj në LDK do të bëhet në prani të Këshillit të Forumit të Gruas të LDK-së.
Kica – Xhelili pritet t’i bashkohet grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, Doarsa Kica-Xhelili për herën e parë është bërë deputete në vitin 2021 në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku kishte qenë pjesë e listës së përbashkët në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.
Kica-Xhelili ka lindur më 25 shtator të vitit 1990 në kryeqytetin e Kosovës, ndërsa me prejardhje është nga Veleshta, afër Strugës.
Ajo është juriste, e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik në nivelin bachelor. Kica – Xhelili gjithashtu ka studiuar në Universitetin Loyola, në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet një burse, kurse studimet i ka përfunduar në vitin 2014, kur edhe mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim.