Të mërkurën e shtatë shtatorit, njëmbëdhjetë pilotë të rinj iu shtuan Forcave Ajrore të Shqipërisë.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka thënë se kanë shumë sfida dhe veçanërisht për Forcat Ajrore, si në drejtimin e infrastrukturës, modernizimit por dhe rritjes së kapaciteteve njerëzore.
“Forcat Ajrore janë duke realizuar disa projekte historike. Baza e parë taktike ajrore e NATO-s është tani në ndërtim e sipër dhe ky është një zhvillim historik”, ka thënë Niko Peleshi.
Ministri shqiptar i Mbrojtjes tha se në aspektin e pasurimit të teknikës ajrore janë në momente historike. Sipas tij, nga viti i ardhshëm do të filloj ndërtimi i flotës ajrore me helikopter Blackhawk.
“Dy helikopterët e parë do të vijnë në vitin e ardhëm dhe ky numër do të shtohet në drejtim të ndërtimit dhe konsolidimit të kësaj flote ajrore me helikopterët më të mire në botë”, shtoi Peleshi.
Niko Peleshi ka konsideruar të frytshëm bashkëpunimin me partnerin e tyre strategjik, Shtetet e Bahkuara. Ai njëherësh ka shprehur falënderim për mbështetjen e tyre.