Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Musli Rexhepit, i cili ka tentuar ta sulmojë fizikisht kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, gjatë mbledhjes në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Musli Rexhepi i ishte drejtuar kryetarit të SBAShK-ut me fjalët “O plak po na i lë fëmijë pa shkollë, kam me të vra”.
Musliu është akuzuar me veprën “cenim i së drejtës në grevë”. Lidhur me rastin është kërkuar një muaj paraburgim, ndërsa seanca për caktimin e paraburgimit do të mbahet të mërkurën.
“I akuzuari, pasi kishte shkuar në shkollën ‘Ismail Qemaili’ në Prishtinë për ta dërguar mbesën e tij për mbajtjen e mësimit, kur e ka vërejtur se mësimi nuk po mbahet dhe arsimtarët janë në grevë, i njëjti ka hyrë brenda në shkollë ku ishte duke u mbajtur takimi i grevistëve me kryetarin e sindikatës. Dhe me të përfunduar ky takim, i dëmtuari Rrahman Jasharaj po dilte nga takimi. I akuzuari duke përdorur forcë dhe kanosje serioze me qëllim të pengimit të grevës, në mënyrë të kundërligjshme e ka kanosur të dëmtuarin me fjalët “O plak po na i lë fëmijët pa shkollë, kam me të vra”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës thuhet se i akuzuari ka tentuar që ta sulmojë, por është ndaluar nga të pranishmit, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë.