Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas aderimit të deputetes së Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica – Xhelili, të mërkurën e shtatë shtatorit nga Lista Guxo në LDK.
“Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, u bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”, ka thënë ministri Peci.
RTV Dukagjini ka mësuar nga burimet e saj brenda LDK-së, se aderimi i Doarsa Kica- Xhelilit në këtë subjekt politik do të bëhet në prani të Këshillit të Forumit të Gruas së LDK-së.
Ajo pritet t’i bashkohet grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa, Doarsa Kica-Xhelili për herën e parë është bërë deputete në vitin 2021 në zgjedhjet e 14 shkurtit, kur kishte qenë pjesë e listës së përbashkët në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Guxo.
Kica-Xhelili ka lindur më 25 shtator të vitit 1990 në kryeqytetin e Kosovës, ndërsa me prejardhje është nga Veleshta, afër Strugës.
Ajo është juriste, e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik në nivelin bachelor. Kica – Xhelili gjithashtu ka studiuar edhe në Universitetit Loyola në Chicago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nëpërmjet një burse, kurse studimet i ka përfunduar në vitin 2014, kur edhe mori titullin Magjistre e Sundimit të Ligjit për Zhvillim.