Një muaj paraburgim i është caktuar Danijel Vasiljeviqit, i cili dyshohet se e ka ngacmuar vajzën e kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, përmes rrjeteve sociale.
I riu është denoncuar për ngacmim në Polici nga kryetari i Shtërpcës nga Lista Serbe, Dalibor Jevtiq. Familja Vasiljeviq thotë se janë duke u sulmuar vetëm për shkak se janë opozitë e Listës Serbe.
Më datën katër shtator, Policia e Kosovës e ka arrestuar Danijel Vasiljeviqin, pasi ky i fundit dyshohet se e ka ngacmuar vajzën e kryetarit të Komunës së Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, në rrjete sociale.
Avokati i të arrestuarit ka folur për Portalin Dukagjini, në lidhje me mundësinë që Vasiljeviq të ketë hyrë në grevë urie, pasi edhe familja e tij ka thënë se klienti i tij është arrestuar padrejtësisht për shkak të ”presioneve politike, sidomos të kryetarit të qytetit të Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.
Ndërsa, Goran Vasiljeviq i cili është babai i Danijel-it, ka thënë për Portalin Dukagjini, se i biri tij është arrestuar pasi nuk e përkrah Listën Serbe.
Ai është shprehur se ky është një arrestim politik, ku kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq e ka akuzuar atë për kërcënime, ndërsa policia e ka arrestuar pa pasur ndonjë provë konkrete.
Sipas të atit të të arrestuarit, ata po përdorin lidhjet e tyre në polici dhe në prokurori për të mbajtur djalin e tij në paraburgim.
Ai bëri të ditur se “nëse djalit të tij, të mërkurën i vazhdohet masa e paraburgimit pa asnjë provë, ai dhe familja e tij do të hyjnë në një grevë urie para Prokurorisë Themelore në Ferizaj”.