Përtej Brukselit, dialogu – prioritet edhe në Berlin e Paris

Vizitat e shpeshta të emisarit Miroslav Lajçak, në Kosovë dhe Serbi po konsiderohen si shenjë pozitive. Bashkëngjitja e këshilltarëve për politikë të jashtme dhe siguri të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, sipas njohësve të politikës së jashtme, janë tregues që zgjidhja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë përtej Brukselit, është prioritet edhe për Berlin e Paris

Jens Plotner - këshilltari kryesor në politikën e jashtme i kancelarit gjerman, i dërguari i posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe Emmanuel Bonne - këshilltari kryesor në politikën e jashtme i presidentit francez

Kohëve të fundit në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Kosovë dhe Serbi, janë shpeshtuar vizitat e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian.

Kosova dhe Serbia do ta presin sërish për vizitë të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Lajçak, bashkë me dy këshilltarët e liderëve në Gjermani dhe Francë, do ta vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, më nëntë shtator të këtij viti.

Kjo vizitë, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, po konsiderohet tregues i seriozitetit me të cilin po trajtohet në Bruksel zgjidhja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndonëse nuk cilësohet si “befasi”, bashkëngjitja në këto vizita e këshilltarëve për politikë të jashtme dhe siguri të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, janë tregues që zgjidhja përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë përtej Brukselit, është prioritet edhe për Berlinin dhe Parisin.

Përfshirja e dy zyrtarëve, Emmanuel Bonne, që është këshilltari kryesor në politikën e jashtme i presidentit francez, Emmanuel Macron, qysh nga viti 2019, dhe Jens Plotner, në të njëjtën pozitë pranë kancelarit gjerman, Olaf Shcolz që nga dhjetori i vitit 2021, për Emir Abrashin – njohës i politikës së jashtme, është lajm pozitiv.

Kjo pasi përfshirja direkte e Pallatit Elysée dhe Kancelarisë Federale gjermane, sipas Abrashit, do t’i mbajë edhe Prishtinën edhe Beogradin më të fokusuara në dialog.

Po ashtu, do të jetë një garanci shtesë për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë, në rast të përparimit në dialog dhe afrimit drejt finales në zgjidhjen e çështjeve të hapura mes të dyja vendeve.

“Deri më tani, BE-ja për shkak të mënyrës komplekse të organizimit dhe funskionimit, nuk është treguar e aftë për të gjetur zgjidhje. Prandaj, është e nevojshme që në këtë proces të përfshihen drejtpërsëdrejti edhe dy shtetet më të fuqishme brenda këtij unioni, të cilat kanë fuqi për të influencuar vendimmarrjen brenda BE-së, por edhe brenda për brenda shteteve të tjera anëtare”, ka thënë Abrashi për Portali Dukagjini.

Emir Abrashi – Njohës i diplomacisë

E rëndësisë së lartë, siç thotë Abrashi, është edhe që institucionet e Kosovës të jenë bashkëpunuese dhe serioze në këtë proces, duke mos lejuar që në asnjë formë Kosova të duket apo të etiketohet si bllokuese në dialog.

“Tashmë kur kontinenti po ballafaqohet me luftën në Ukrainë, është e një rëndësie të veçantë që mos të ketë tema të hapura në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vëmendje që po i jepet rajonit është tregues për këtë”, shtoi Abrashi.

Se vizitat e shpeshta të Lajçak-ut, duhet parë si përpjekje të sforcuar të BE-së për ta përshpejtuar dhe për ta bërë më produktiv dialogun mes dy vendeve fqinje, e mendon edhe Ibrahim Gashi – profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, ideja e përshpejtimit të dialogut për ta çuar atë drejt një epilogu pozitiv që do të nënkuptonte një marrëveshje finale të detyrueshme për palët, që do ta kishte si përfundim njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga ana e Serbisë, në vete përmban si parakusht të domosdoshëm kompromisin që palët duhet të bëjnë.

“Rritja e interesimit dhe gatishmërisë dhe kancelarit Scholz dhe presidentit Macron për ta ndihmuar dialogun përkatësisht, duke e asistuar Lajçak-un me dy këshilltarët e tyre duhet parë si veprim shpresdhënës se më në fund gjërat po lëvizin drejt një marrëveshjeje përfundimtare”, është shprehur Gashin për Portali Dukagjini.

Ibrahim Gashi, Profesor i Marrëdhenieve Ndërkombëtare në UP

Kjo përpjekje, sipas Gashit, nuk duhet konsideruar si presion i ndërkombëtarëve, por si kusht i dialogut drejt një kompromisi.

“Konsideroj se më në fund mund të pohojmë se është rritur ndjeshëm interesimi dhe impenjimi i BE-së rreth problemeve të Ballkanit Perëndimor. Si duket në këtë fakt ka ndikuar situata e tensionuar në lindje të Evropës pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë dhe luftës që po zhvillohet atje”, shtoi ai.

Vizitat e shpeshta të Lajçak-ut janë konsideruar pozitive edhe për profesorin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Ai në një përgjigje për Portali Dukagjini, ka thënë se të njëjtat mund të jenë imponuar nga mosveprimi i BE-së, si tërësi në zgjidhjen e problemit.

Po ashtu, Arifi ka potencuar se Qeveria e Kosovës ka dinamizuar politikat e brendshme dhe ato të jashtme në raport me Serbinë, duke kërkuar reciprocitet, vendosje më të rreptë të ligjit në pjesën veriore, dhe kjo sipas Arifit, e ka aktivizuar me apo pa dashje BE-në.

“Sa i përket kërkesës së kancelarit gjerman dhe presidentit të Francës, që vizitës së Lajçakut t’i bashkohen edhe këshilltarët e të dyja vendeve, ka të bëjë me një farë lloj dinamizimi të ri të dialogut që Lajçakut t’i jepet një përkrahje më e fuqishme politike sesa që e ka pasur deri më tani”, ka thënë Arifi, teksa shtoi se me aktivizimin e këtyre dy vendeve më të fuqishme në BE “mund të kemi një riformazitim të dialogut”.

Dritëro Arifi, Profesor i Marrëdhenieve Ndërkombëtare

“Vetaktivizimi edhe i Gjermanisë edhe i Francës dhe letrat e tyre që u kanë dërguar presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës po tregon orientimin, fokusin kryesor të Ballkanit Perëndimor që të mos krijohet një vatër e re e konfliktit”, ka thënë Arifi.

Profesor Arifi ka potencuar se vetiniciativa e Gjermanisë dhe Francës po e ngrit seriozitetin në politikën e jashtme.

“Por kjo është vetëm faza e parë, ka ende shumë hapa dhe faza që BE-ja duhet të pjeket në politikën e jashtme sidomos karshi BP-së, duhet të jetë më e qartë, më aktive dhe atraktive, por mbi të gjitha BE-ja duhet t’i zgjidhë problemet brenda shtëpisë së vetë”, shtoi ai.

Liberalizimi i vizave – çështje e mbetur pezull

Një nga çështjet e mbetura pezull është liria e lëvizjes për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim të vizave me BE-në.

Për njohësin e politikës së jashtme, Emir Abrashin, kur ka përfshirje të tilla direkte, institucionet e Kosovës duhet të marrin garanci që serioziteti i Kosovës do të shpërblehet me liberalizimin e vizave si dhe të merren garanci për proceset e tjera të integrimit evropian.

“Gjermania dhe Franca janë ato që mund të garantojnë këtë, andaj një mundësi e tillë nuk bën të lëshohet assesi nga ana e diplomacisë kosovare”, ka thënë Abrashi.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsejtë 95, sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve.

Ilustrim

Ndryshe, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër të përbashkët nga kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Në letër thuhet se për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale.

“Po ju adresohemi juve si lider i shtetit tuaj, për t’ju bërë thirrje për të treguar gatishmëri dhe zgjidhje maksimale për të marrë vendime të vështira, që shpien drejt progresit të dialogut të udhëhequr nga BE, në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në letër.

E njëjta sipas tyre, vjen në një kohë vendimtare për sigurinë në kontinentin Evropian dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Për Ballkanin Perëndimor normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie kruciale”.

Ata kanë propozuar që “këshilltarët të bëjnë një vizitë të përbashkët me Miroslav Lajçak në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të gjejnë opsionet, që procesi të lëvizë përpara shpejt”.

“Tensionet e kohëve të fundit kanë treguar se hapat konstruktivë në rrugën përpara janë urgjentisht të nevojshëm, në nivelin praktik dhe politik. Prandaj, ne kemi ngarkuar me punë këshilltarët tanë të politikës së jashtme dhe sigurisë, z.Jens Plötner dhe z.Emmanuel Bonne, për të mbështetur direkt Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij”.

Po ashtu, ata janë shprehur të bindur që në dritën e agresionit rus kundër Ukrainës duhet bërë përpjekje edhe më të fuqishme, që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet e kamotshme bilaterale dhe rajonale.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika