Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka akuzuar shtetin e Serbisë, për shkelje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Osmani ka thënë se sipas shumë organizatave ndërkombëtare, në Preshevë është duke ndodhur spastrim etnik me anë të mjeteve administrative.
“Të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në luginën e Preshevës, shkelen në mënyrë flagrante, dhe sipas organizatave, ajo që po ngjan aty është spastrim etnik me mjete administrative”
Po ashtu, Osman ka thënë se Serbia nuk mund të flasë për të drejtën ndërkombëtare sepse ka kryer gjenocid në Kosovë dhe në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Serbia është vendi i fundit në botë që mund të na flasë për të drejtën ndërkombëtare. Një shtet që ka kryer gjenocid ndaj fqinjëve të vet, nuk mund të flasë për të drejtën ndërkombëtare. Në momentin kur Serbia ka vendosur të kryejë gjenocid, ka humbur çdo të drejtë të flasë për të drejtat ndërkombëtare”, ka deklaruar Osmani.
Këto deklarata, presidentja Vjosa Osmani i ka dhënë në konferencën e përbashkët me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, për të cilin tha se është mik i madh i Kosovës.
Sipas Osmanit, Pahor gjatë viteve të 90-ta, ka luajtur një rol kyç për t’i ndihmuar shqiptarët e Kosovës.