Dhuna seksuale është një temë e rëndë për t’u diskutuar, por që kohëve të fundit kishte vëmendje më të madhe si publike ashtu edhe institucionale pas rastit të dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
Pasojat tek viktimat pas aktit të dhunës seksuale janë padyshim të mëdha. E për të folur për këto e ftuar në emisionin “Jeto” me Xheneta Asllanin ishte psikologia Selvi Izeti, psikologe në Qendrën e Rehabilitimit të Mbijetuarve të Torturës.
Misioni i kësaj Qendre është të punojnë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit dhe pasojat që ka lënë, mirëpo trajtojnë edhe raste të dhunës në kushte paqeje.
Izeti deklaron se dhuna seksuale mbetet një nga abuzimet që më së paku raportohet, e kjo ndodh për shkak të stigmatizimit të shoqërisë, paragjykimeve por edhe mungesës së mbështetjes nga familja.
Lidhur me këtë përvojë psikologia thekson se është një nga përvojat më të rënda traumatike, që shkatërrojnë ndjenjen e sigurisë dhe besimit tek të tjerët. Fakti që bën traumën edhe më të rëndë sipas Izetit është fakti se 95% e rasteve të dhunës seksuale që ndodhin, viktima e njeh paraprakisht dhunuesin.
Psikologia tregon se gjëndja emocionale e viktimës menjëherë pas abuzimit është tejet e rëndë, ka rikujtime të vazhdueshme, izolohet në vete, pëson çrregullime të gjumit dhe të ngrënies, u shmanget njerëzve të tjerë, e kjo sipas Izetit është një gjendje normale tek viktimat që mund të zgjasë deri në 4 javë. Nëse çrregullime të tilla vazhdojnë edhe pas 4 javëve, atëherë kemi të bëjmë me stresin post traumatik, që kërkon trajtim serioz. Ky stress shoqërohet edhe me depresion, me një ndjenjë pashprese e pafuqie, që sjell deri në mendime vetëvrasëse.
Izeti ka nënvizuar faktin se viktimave të dhunës seksuale shumë pak u ofrohet mbështetje menjëherë pas ndodhjes së rastit. Kjo sipas saj është e rëndë edhe për familjen pasi nuk dijnëçfarë të veprojnë, e shpesh vendosin që ta heshtin fare rastin, por ky sipas psikologes është një problem që nuk shuhet pasi sjell problem psikologjike, andaj familja duke u munduar ta shuajnë rastin, nuk i ndihmojnë fëmijës së vet.
Psikologia ka bërë thirrje që të flitet sa më shumë për dhunën seksuale, pasi viktimat nuk duhet të ndihen të turpëruara të tregojnë dhe kërkojnë ndihmë, sepse një traumë e tillë nëse nuk trajtohet me kohë shkon nëçrregullim të stresit post traumatik, depresion e nëse nuk trajtohet me vite edhe në ankth që prek edhe rrethin e viktimës.