Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, pritet të zhvillojë një vizitë zyrtare dyditore në Shqipëri. Mattarella do të pritet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj në Pallatin e Brigadave në Tiranë.
Presidenti Begaj dhe lideri italian pas takimit do të lëshojnë deklarata për shtyp rreth orës 11:00. Në vazhdim, presidenti Mattarella do të vendosë një kurorë pranë Monumentit “Nënë Shqipëri” në varrezat e Dëshmorëve.
Mattarella do të takohet dhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Gjatë pasdites, presidenti Mattarella do të vizitojë Shkollën Italiane në Tiranë, së bashku me kryetarin e Shoqatës “Dante Alighieri”, Andrea Riccardi dhe me bashkëthemeluesen e shkollës, Concetta Marotta. Në përfundim të vizitës, kreu i shtetit të Italisë do të pritet nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla. Vizita do të përmbyllet me takimin me një përfaqësues të komunitetit italian.
Presidenti italian është pritur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nga ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Evis Kushi, e cila është përfaqësuese e ambasadës së Italisë në Shqipëri dhe zyrtarëve të tjerë.
Kushi në rrjetet sociale është shprehur e nderuar që së bashku me ambasadorin, Fabrizio Bucci, ka mirëpritur në Aeroportin “Nënë Tereza” presidentin e Italisë, Sergio Mattarella dhe ministren e Universitetit dhe Kërkimit Shkencor, Maria Cristina Messa.