Derisa greva në arsim vazhdon të jetë çështje aktuale në Kosovë, ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka dalë me një udhëzim për formën dhe specifikat e ndërprejes së grevës.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Rukiqi ka thënë se nuk është e nevojshme që të ritheksohet dëmi i pariparueshëm nga greva në arsim.
Ai ka potencuar se tani është koha për kompromis.
“Një vijim po e paraqes një udhëzues që do të lehtësonte uljen e palëve në tavolinë, për të gjetur një zgjidhje me kompromis”, ka shkruar ai.
“BSPK thërret takimin e Këshillit Ekonomik Social me tri palët qe janë pjesë e Këshillit: Punëdhënësit, Punëtorët dhe Qeveria, përkatësisht Ministritë që e përfaqësojnë Qeverinë në ketë Këshill, përfshirë Ministrinë e Financave. Këshilli Ekonomik Social, në bazë të legjislacionit në fuqi, është trup i dizajnuar për dialog social dhe ka fuqinë e dhënies së rekomandimeve për vendimmarrje në Qeveri, për çdo çështje që prek relacionet/ punëdhënës, punëtore dhe Qeveri”.
Ai ka thënë se “negocimi dhe diskutimi për kushtet e ndërprerjes së grevës në Këshillin Ekonomik Social, e kënaq kushtin dhe kërkesën e Kryeministrit, për të dialoguar vetëm me BSPK-në dhe jo me shoqata sindikale sektoriale dhe në anën tjetër e kënaq kushtin e sindikatave, për takim përmbajtjësor me Qeverinë, për të negociuar, kushtet e ndërprerjes së grevës”.
Rukiqi ka thënë se për të siguruar transparencë, neutralitet dhe profesionalizëm, në diskutimin trepalësh, për ndërprerjen e grevës, Këshilli Ekonomik Social, “mund të ftojë për asistencë, organizata vendore dhe ndërkombëtare që e kanë përkrahur punën e Këshillit, para së gjithash, fondacionin gjerman FES dhe Organizatën Ndërkombëtare të Punës – ILO”.
“Marrëveshja e negociuar në KES, dërgohet për aprovim në Qeveri dhe vendimet implementohen në afatin më të shpejtë të mundshëm”, shtoi ai.
Sipas Rukiqit, në marrëveshje mund të përfshihen 50 euro shtesë deri në dhjetor, 100 euro shtesë nga janari deri në mars dhe në po të njëjtin muaj duhet të hyjë në fuqi Ligji I Pagave, dhe korigjim të pagave në baza vjetore, të indeksuara sipas normës vjetore të inflacionit.