Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është duke ushtruar presion ndaj grevistëve, në mënyrë që ta ndërprejnë grevën.
Me anë të një komunikate për media, BSPK ka kosnideruar se ndalja e grevës së përgjithshme pa dialog social “është dhunim i demokracisë”.
“Njoftojmë opinionin e gjerë se Partneri ynë Social – Qeveria është duke u munduar të gjejë rrugë jo të mira, kryesisht të presionit joparimor dhe vetëm e vetëm për të bindur grevistët të ndalin Grevën e Përgjithshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, në këtë njoftim thuhet se BSPK-ja do të bënte shkelje të ligjit për greva e mbi të gjitha shkelje të rëndë të parimeve dhe normave sindikale, po që se do të ndalte grevën pa u ulur në karrigen e tavolinës së dialogut social dhe pa arritjen e marrëveshjes.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se e vetmja zgjidhje për të dalë nga gjendja aktuale në arsim është ndërprerja e grevave nga mësimdhënësit dhe nisja e procesit mësimor për vitin e ri shkollor.
Gjatë vendosjes së gurthemelit të shkollës “Ilir Konushevci” në Podujevë, Kurti tregoi për masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që t’u dilet në ndihmë qytetarëve të vendit, duke përfshirë edhe mësimdhënësit.
“Nga kjo situatë duhet të dilet duke nisur mësimi për nxënësit, duke shkuar mësimdhënësit dhe nxënësit në shkolla. Nuk zhvillohet vendi pa arsimim”, është shprehur ai.