Gjykata Themelore e Gjilanit e ka caktuar masën e paraburgimit ndaj dy të pandehurve të cilët dyshohet se e kanë dhunuar një vajzë të mitur e cila i kishte më pak se 16 vjet.
Të pandehurit me iniciale A.M dhe L.M, dyshohet se gjatë muajve mars-prill, në fshatin Pasjak dhe Velekincë, e kanë detyruar vajzën e mitur të kryejë akte seksuale.
“Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditësh të pandehurve A. M. dhe L. M. Ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit A. M. dhe L. M. gjatë muajit mars – prill në fshatin Pasjak dhe fshatin Velekincë, e kanë detyruar të miturën të kryej akte seksuale pa pëlqimin e saj, viktimë kjo posaçërisht e ndjeshme për shkak të moshës nën 16 vjeç, e cila nuk ka mundur të gjykojë e të vlerësojë pasojat e një marrëdhënie të tillë e që nënkupton marrëdhënie seksuale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit.
Në njoftim thuhet se masa e paraburgimit ka qenë e nevojshme ndaj dy të dyshuarve për dhunim, për shkak se masat e tjera alternative sipas gjykatës do të ishin të pamjaftueshme.
“Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale, dhunimi, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, ngase masat e tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale”, vijon njoftimi.
Po ashtu, në njoftim thuhet edhe se “palët kanë të drejtën e ankesës ndaj të këtij vendimi mbi caktimin e paraburgimit në Gjykatën e Apelit”.