Ministria e Punëve të Brendshme njofton se shefja e kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme, Jeta Tela së bashku me zyrtarë të tjerë nga kabineti kanë vizituar Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve në Veri.
Gjatë vizitës së shefës së kabinetit të ministrit të Punëve të Brendshme është njoftuar për procesin e përgatitjes për regjistrimin e veturave dhe kthimin e targave nga ato ilegale në targat RKS.
“Të gjitha përgatitjet operacionale ishin gati dhe me këtë rast Ministria e Punëve të Brendshme fton të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë të regjistrojnë veturat e tyre në QRA-të përkatëse, duke përfituar nga lehtësirat e parapara në këtë proces i cili do të zgjatë deri me datën 31 tetor të këtij viti”, thuhet në njoftimin e MPB-së.
Tutje në njoftimin e ministrisë thuhet se në këtë vizitë, Tela ka falënderuar të gjithë zyrtarët e angazhuar që ofrojnë informacionet e nevojshme për qytetarët e interesuar.
Mes tjerash, ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar të gjithë qytetarët se fushata e informimit do të vazhdojë në mënyrë intensive gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim anë e mbanë Kosovës.