I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, kanë arritur mbrëmjen e së premtes në Beograd, ku janë takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Këtë, e ka bërë të ditur Vuçiq në një postim në rrjetin social Instagram, ka thënë se ka qenë një bised për të ardhmen e Serbisë, në të cilën sipas tij, nuk do të ketë njohje të Republikës së Kosovës.
“Bashkëbisedim për të ardhmen e Serbisë, dhe nuk do të ketë njohje të Kosovës”, ka shkruar Vuçiq në Instagram bashkë me fotot e takimit.
Po ashtu, ai ka thënë se është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, dhe Kushtetutën e Serbisë.
“Aktualisht jam duke biseduar me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Francës dhe Gjermanisë, Emmanuel Bonne dhe Jens Plotner. Gjithmonë i gatshëm për zgjidhje kompromisi, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Serbisë dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara”, ka shkruar tutje ai.
Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së premte është takuar me Lajçak dhe këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri, Plotner dhe Bonne.
Zyra e Kryeministrit e kishte bërë të ditur se përgjatë takimit u theksua se Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë.
Ndër të tjera, bëhet e ditur se përgjatë takimit u bisedua për nevojën e përpjekjeve edhe më të fuqishme nga të gjithë akterët, ashtu që perspektiva evropiane të bëhet realitet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Pas takimit, Lajçak u deklarua për media, por nuk kishte dhënë detaje në lidhje me diskutimet që ishin bërë për më shumë se dy orë me kryeministrin Kurti.
Kurti priti në takim emisarin Lajçak dhe këshilltarët, Plötner dhe Bonne