Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur në takim një delegacion parlamentar nga Lituania, i kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Laima Andrikiene.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi ka diskutuar mbi prioritetet e Qeverisë në agjendën e integrimit evropian, ku pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, sipas tij, brenda këtij viti synojnë të aplikojnë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Pas aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, synojmë të aplikojmë për anëtarësim në BE brenda këtij viti”, ka deklaruar ai.
Po ashtu, në takim ishte diskutuar dhe tema e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ku është theksuar nevoja për përfundimin e këtij procesi të gjatë për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Kosova është shtet i vogël, demokraci e re, me potencial të madh. Avancimi përmes shënimit më të lartë ndonjëherë të zbatimit të reformave dhe masave në agjendën evropiane, si në reformat në drejtësi, në luftimin e korrupsionit, në formalizimin e ekonomisë, në digjitalizim, në tërheqjen e investitorëve strategjikë e shumë fusha të tjera, është reflektuar dhe në përmirësimin historik të pozicionimit të Kosovës në renditjet botërore”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Ndërkaq, Bislimi e ka falënderuar delegacionin parlamentar për vizitën dhe përkrahjen e vazhdueshme të tyre ndaj Kosovës.