Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Irani ka realizuar një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë.
Përmes një postimi në Twitter, Rama ka bërë të ditur se ndonëse po punojnë me aleatët që sistemet digjitale t’i bëjnë të pakalueshme ndaj sulmeve, Irani ka sulmuar sistemin e kontrollit elektronik TIMS.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, ka shkruar Rama.
Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t'i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.
— Edi Rama (@ediramaal) September 10, 2022
Më 7 shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.
Rama ka njoftuar se vendimi i është bërë i ditur Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit në Tiranë. Sipas njoftimit të shtetit shqiptar, personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ i ishte kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë.