Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar mbretin Charles III për ngjitjen në fronin e Mbretërisë së Bashkuar.
Osmani përmes një postimi ka shprehur urime të përzemërta për mbretin Charles III.
Presidentja e vendit ka shtuar se populli shqiptar është mirënjohës për përkushtimin e mbretit Charles III ndaj aleancës Kosovë-Mbretërinë e Bashkuar, siç është konfirmuar gjatë vizitës së tij në vitin 2016.
Vjosa Osmani ka shtuar se ka besim që lidhjet mes dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen nën sundimin e tij.
“Urime të përzemërta mbretit Charles III për ngjitjen në fron. Ne jemi mirënjohës për përkushtimin e Madhërisë së Tij ndaj aleancës Kosovë-Mbretërinë e Bashkuar, siç u konfirmua gjatë vizitës së tij në vitin 2016. Ne kemi besim se lidhjet tona do të vazhdojnë të forcohen nën sundimin e tij”, ka shkruar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Twitter.
Charles III është shpallur zyrtarisht Mbret i Mbretërisë së Bashkuar në një këshill aderimi në apartamentet shtetërore të Pallatit “St. James”
Megjithëse ai u bë mbret pas vdekjes të së ëmës, Mbretëreshës Elizabeth II, një takim historik konfirmoi zyrtarisht rolin e tij të shtunën.
“Jam i vetëdijshëm për trashigiminë madhështore, detyrat dhe përgjegjësitë e rënda të sovranitetit që më kanë kaluar tashmë”, ka thënë Charles III në fjalimin e tij.
Ai ka thënë se e di që do të jetë i mbështetur nga dashuria dhe besnikëria e popujve dhe njëherësh, ka thënë se është “thellësisht i inkurajuar nga mbështetja e vazhdueshme e gruas së tij të dashur”.