Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi, përmes një postimi në Facebook ka reaguar në lidhje me sulmin kibernetik të Iranit drejtuar institucioneve qeveritare në Shqipëri.
Çuçi ka përgëzuar policinë e shtetit për punën e tyre dhe ka falënderuar partnerët amerkianë të cilët po përpiqen vazhdimisht që Shqipëria të jetë sa më e sigurt.
“Përgëzime ekipit të IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për punën pa ndërprerje që nga minuta e parë e sulmit kibernetik, për të rivënë në funksionim sistemet tona dhe veçanërisht atë TIMS”.
“Falënderoj partnerët amerikanë që kanë qenë pranë edhe në këtë rast e po bëjnë çdo përpjekje për ta bërë Shqipërinë sa më të sigurt. Prej mesnatës sistemi TIMS është rikthyer në funksion të plotë në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Po kështu është rivënë në punë edhe në pikat e tjera kufitare të vendit: Hani i Hotit, Kapshticë, Muriqan, Morinë, dhe Kakavijë”, ka shkruar ministri.
Ai më tej ka thënë se ekspertët janë duke bërë punën e tyre për të kthyer në normalitet sistemin TIMS edhe në pika të tjera.
“Aktualisht ekspertët tanë po vijojnë punën e pandërprerë për rikthimin e sistemit TIMS në pikat e tjera të kalimit kufitar si dhe po marrin masat nevojshme për të mos pasur më ndërprerje”, ka shtuar Çuçi.
Ndër të tjera, më 7 shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.