“Më 18 dhjetor, 2020, kam pranuar një telefonatë nga policia që më informonin se isha kërcënuar me vdekje dhe më vendosën menjëherë në mbrojtje të lartë të policisë”, kishte deklaruar Dick Marty për Radiotelevizionin e Zvicrës.
Sipas një tregimi të Dick Marty-t serbët deshën ta vrasin dhe t’ua linin fajin shqiptarëve të Kosovës. Për këtë arsye, prej kohësh atij iu desh të qëndronte i ruajtur nga policia e armatosur rëndë.
Në dhjetor të vitit 2020, Marty ishte vendosur nën mbrojtje shumë të lartë policore. Pasi këtij të fundit, iu rrezikohej jeta nga elemente radikale të shërbimeve të intelegjencës serbe. Megjithatë, Zvicra nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Radiotelevizioni i Zvicrës ka publikuar një intervistë të Dick Marty-it, ish-prokurorit dhe politikanit zviceran, i cili si anëtar i Këshillit të Evropës, kishte raportuar kinse për përfshirje të liderëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në rrjet të trafikimit të organeve. Bazuar mbi raportin e tij, u desh të themelohej edhe Gjykata Speciale, përkundër se fakte për ato që thoshte Marty, nuk dolën kurrë.
Këtij të fundit ishte thënë nga policia se ai është në rrezik të shkallës së pestë, shkalla më e lartë e rrezikut, prandaj i ishte ofruar ndryshim i identitetit dhe adresës.
“Shkalla pesë nënkupton që të zhdukesh, por unë s’mund ta bëja këtë”, thotë Marty, “prandaj, kemi qëndruar në shkallën katër deri më tani”.
Për katër muaj e gjysmë, policia e armatosur rëndë kishin qëndruar në shtëpinë ku ky i fundit jeton me gruan e tij. Atij i ishte dashur të kufizonte edhe kontaktet në maksimum.
“Në fund të vitit 2020, ai më dërgoi një mesazh të koduar duke më kërkuar që të mos kontaktoja më me të”, konfirmon Franco Cavalli, ish-këshilltar kombëtar socialist, i cili është edhe miku i Marty-it. “Është tronditëse të mendosh se një gjë e tillë mund të ndodhë në Zvicër”.
Sot policia nuk është më në detyrë, “por masat mbrojtëse janë ende po aq të rëndësishme”.
“Shtëpia është e mbushur me kamera dhe e pajisur me alarme dhe një dhomë sigurie ku Dick Marty duhet të strehohet në rast sulmi. Aty pranë ndodhet policia me rroba civile”.
Ai gjithmonë gjatë udhëtimeve të tijat shumë të rralla vesh një jelek antiplumb, makina e tij është e blinduar dhe e shoqëruar nga automjete policie me rroba civile.
Sipas Marty “kërcënimi vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të intelegjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e ‘botës së krimit’. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje me porosi dhe kështu që, nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”.
Të njëjtat të dhëna kishte dhe shteti zviceran.
Urdhëri ishte nga shërbimet sekrete të Serbisë që për cak e kishin Dick Marty-in, atentati ndaj tij thuhet se ju kishte besuar burrave serbë që kanë kryer prej kohësh misione të tilla për shërbimin sekret serb dhe të cilët janë të trajnuar si ‘profesionistë absolutë’ që do ta kryenin atentatin ‘pa lënë gjurmë’.
“Armën do ta sillte një serb në Zvicër gjatë dhjetorit 2020”.
Marty ka kërkuar nga shteti zviceran se nuk mjafton vetëm mbrojtja që ka aktualisht, por të ndërmarrin hapa në eliminimin e rrezikut.
Pas një letre të tij për autoritetet ata “kanë dërguar oficerë policie në Beograd në fund të prillit për të biseduar me kolegët e tyre serbë”, por për Marty-in kjo është e pamjaftueshme.
“Kjo do të thotë se Prokurori Federal nuk do të udhëtojë në Serbi dhe se ai nuk do të bëjë kërkesë për ndihmë juridike dhe se Berni zyrtar do të heqë dorë nga veprimet diplomatike. E gjithë kjo pavarësisht nga ekzistenca e indikacioneve konkrete për një vrasje të planifikuar të një ish-raportuesi të Këshillit të Evropës dhe senatori zviceran nga shërbimet inteligjente të një vendi të huaj”.
Gazeta franceze Le Point ka pyetur autoritetet zvicerane se cila është arsyeja e mungesës së një reagimi më të ashpër në raport me autoritetet në Serbi.
Siç i janë përgjigjur gazetës institucionet, saktësisht Ministria Publike e Konfederatës, thuhet se “përveç aspektit kriminal, ky rast përfshin edhe komponentë politikë për shkak të kontekstit tejkombëtar”.
Dick Marty është shkaktari kryesor për themelimin e Gjykatës Speciale me seli në Hagë, pas akuzave të tij për trafikim të organesh nga UÇK-ja.
Por kjo gjykatë nuk e ka as një aktakuzë për trafikim të organeve mbi bazën e së cilës është themeluar. Në të po gjykohen krerët e UÇK-së, por jo për trafikim organesh.