Mediat iraniane kanë publikuar fotot e katër personave për të cilët thonë se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
Sipas Iran International, katër të dyshuarit janë njëherësh edhe autorët e disa sulmeve kibernetike globale, autorë këta të lidhur me agjenci të ndryshme të inteligjencës qeveritare në Teheran.
Së fundmi, Shqipëria u bë përsëri cak i një sulmi kibernetik, ndërhyrje këto që filluan përgjatë vitit 2021 për të pauzuar në korrik të këtij viti, siç thonë sipas hetimeve të sigurisë të Microsoft.
Javën e kaluar, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe njëherësh, dëboi diplomatët e saj.
Sipas informacioneve të firmës së sigurisë kibernetike “Backdoor”, kreu i luftës kibernetike të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC) është një person i identifikuar si Hamidreza Lashkarian (Lashgarian)një 61-vjeçar me banim në Teheran. Sipas burimeve, për Lashgarian nuk është hera e pare që përfshihet në operacione të inteligjencës së IRGC-së kundër lundrimit komercial dhe aktiviteteve të tjera klandestine.
Kjo nuk është as hera e parë që Qeveria e Shqipërisë bëhet cak i sulmeve kibernetike. Vitin e kaluar, një grup i quajtur Sayyad Project kishte shënjestruar aeroportin e Tiranës. Një grup kibernetik anti-Iran, i njohur si “Lab Dookhtegan” ose “Read My Lips”, zbuloi identitetin e personit që drejtonte sulmin kibernetik si Mohammad-Bagher Shirinkar.
Vëllai i tij, Mhammad-Hossein Shirinkar është gjithashtu një nga pjestarët e grupit “Sayyad”. Sipas Lab Dookhtegan, ai mendohet të jetë kreu i Inspektoratit të Inteligjencës së IRGC.
Ky nuk është i vetmi i përfshirë nga familja e vëllëzërve Shirinkar. Një tjetër bashkëpuntorë është Mehdi Hashemi Tughraljardi, kunati i tyre, drejtor i përgjithshëm i një kompanie dixhitale në Teheran.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se Irani ka realizuar një tjetër sulm kibernetik ndaj Shqipërisë.
Përmes një postimi në Twitter, Rama ka bërë të ditur se ndonëse po punojnë me aleatët që sistemet digjitale t’i bëjnë të pakalueshme ndaj sulmeve, Irani ka sulmuar sistemin e kontrollit elektronik TIMS.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, ka shkruar Rama.
Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS! Ndërkohë vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t'i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale.
— Edi Rama (@ediramaal) September 10, 2022
Më 7 shtator, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar se ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, për shkak të sulmit kibernetik ndaj institucioneve qeveritare.