Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit për një muaj ndaj një të dyshuari për dhunim.
Sipas njoftimit, thuhet se i dyshuari me inicialet F.SH., dyshohet për dhunimin e një fëmije.
“Duke pasur parasysh dënimin e paraparë për këtë vepër penale po qe se provohet fajësia e të pandehurit, gjykata gjen se me gjetjen e tij në liri apo nën ndonjë mase tjetër më të butë, i njëjti mund të ikë dhe kështu t’i shmanget dënimit potencial gjithashtu, duke pas parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilën është kryer vepra penale, pasi ajo është kryer ndaj viktimës së pambrojtur – fëmijës dhe fakti se me familjen e të dëmtuarës njihen mes vete, ekziston rreziku potencial se i njëjti mund ta përsërisë veprën penale”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, të dielën në Istog dhe Klinë janë raportuar dy raste të dhunimit. Viktimat që janë raportuar janë një 13 dhe një 14-vjeçare. Të dyshuarit për të dy rastet ku viktima dyshohet të jenë të miturat, janë dërguar në mbajtje, ndërsa janë paraqitur edhe kërkesat për paraburgim.
Rruga kryesore tranzit në Istog i ndan shtëpinë e viktimës dhe të dyshuarit për dhunimin e saj. Fillimisht, 13-vjeçarja, në shtëpinë e 21-vjeçarit dyshohet se kishte shkuar me veturën e këtij të fundit. Udhëtimi ndërmjet dy fshatrave fqinje të Istogut dyshohet se ishte bërë pa pëlqimin e saj. Pas kësaj, gjithmonë sipas deklaratave që e mitura ka dhënë në Polici, ka nisur dhunimi. Rasti dyshohet të ketë ndodhur në shtëpinë e të riut me inicialet M.L., në fshatin Kovragë.
Ky rast sipas Policisë është raportuar dje, ndërsa dyshohet se ka ndodhur javë më parë.
“Rasti ka ndodhur rreth një muaj më herët. Mirëpo gjatë intervistës viktima ka deklaruar se nuk ka mundur ta raportojë rastin pasi ka qenë e kanosur nga i dyshuari”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
E pas veprimeve policore, sigurisht se në lëvizje është vënë edhe Prokuroria e Shtetit.
“I njëjti është arrestuar e më pas me urdhër të prokurorit është ndaluar për 48 orë. Dyshohet se dhunimi është kryer gjatë muajit gusht dhe për këtë çështje Proukori i Shtetit do të bëjë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thotë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Radio Televizioni Dukagjini ka qëndruar edhe te familja e viktimës në komunën e Istogut. Ata nuk duan që të paraqiten para mediave, por thonë se gjithçka që kanë pasur për të deklaruar tashmë e kanë bërë në polici e prokurori, dhe se tani presin që drejtësia të veprojë.
Ndërkohë, as te familja e të dyshuarit nuk duan që të flasin publikisht për rastin konkret. Prapa kamerës ata thonë se janë të prekur me këtë ndodhi, porse gjithcka e cilësojnë si trillim. Sipas tyre djali nuk posedon patent-shofer prandaj nuk qëndrojnë akuzat se ai me veturën e tij e ka marrë të miturën dhe e ka dhunuar seksualisht. Nëna e 21-vjeçarit insiston se djali asnjëherë nuk del me veturë rrugës, sepse nuk e lejon babai.
Por, ky nuk ishte rasi i vetëm i kësaj natyre që u regjistrua në regjionin e Dukagjinit. Edhe në Klinë të dielën është raportuar një rast i dhunimit.