Llumnica: Ne kemi kërkuar 80 euro por Kurti nuk pranoi opsionin e dytë

Pjesëtari i Këshillit Grevist, Nexhat Llumnica ka thënë se duan që të trajtohen si partnerë social dhe jo si opozitë. Ai ka thënë se megjithëse një opsion i dytë ishte paraqitur nga ana e këshillit, Kurti nuk pranoi as 51 euro

Nexhat Llumnica nga Këshilli Grevist

Nexhat Llumnica nga Këshilli Grevist ka thënë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk pranoi kërkesën prej 80 eurosh.

I ftuar në FIVE të RTV Dukagjini, Llumnica ka thënë se një kërkesë e tillë është më se legjitime duke u bazuar në rritjen e lartë të inflacionit. Ai ka thënë se lidhur me kërkesën e parashtruar, Kurti nuk ka bërë asnjë lëvizje.

“Ne kemi ofruar një opsion tjetër kemi thënë se po tërhiqemi nga kërkesa për 100 euro, qe 80 euro”, ka thënë Llumnica gjersa ka theksuar se nga Kurti nuk është bërë asnjë lëvizje nga ajo që kishte prezantuar në pakon e përballimit të inflacionit ku 50 euro do iu ndahen sektorit publik.

“Asnjë lëvizje, as 51 euro”, ka deklaruar Llumnica.

Erton Bega, ekonomist ka thënë se kërkesa e SBASHK-ut ëshbtë tërësisht legjitime nëse shihet nga rritja e inflacionit. Mirëpo, ngërçin në dialog Bega e sheh sikurse rrjedhojë e sjelljeve të të dyja palëve.

“Problemi më i madh i këtij ngërçi në komunikimin apo dialogun social qëndron tek sjellja e të dyja palëve të cilat kanë etiketuar njëra-tjetrën kanë pamundësuar zhvillimin e një dialogu social në mënyrën sesi duhej të shkonte. Përgjegjëse mbetet qeveria e cila është mandatuar përmes zgjedhjeve të përballet me situata të tjera”, ka thënë Bega gjersa ka theksuar se në vitet e fundit “ jemi dëshmitar që në muajin gusht-shtator dëgjojmë paralajmërime dhe kërcenime në sektorin e arsimit”.

Llumnica nga Këshilli Grevist ka thënë se duan që të trajtohen si partnerë social dhe jo si opozitë. Ai thotë që beson që nga rritja e inflacionit është rritur edhe buxheti i shtetit.

Ndërkaq, Bega ka thënë se nuk janë të qartë në arsyetimin e kërkesave ngase problemi nuk është një problem financiar. Gjersa ka thënë se aspekti financiar është i rëndësishëm, barikadimi në këtë aspekt ka bërë që edhe “6-vjeçarët të kuptojnë se ç’është greva”.

Të martën, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me Këshillin Grevist, të udhëhequr nga kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj.

Pas takimit, Jasharaj bëri të ditur se përkundër tentimeve nuk pati dakordim me Qeverinë e Kosovës, në lidhje me ndaljen e grevës.

Jasharaj, po ashtu, ka thënë se nuk është pajtuar me kryeministrin Kurtin, i cili sipas tij nuk e ka konsultuar me sindikatat pakon e fundit për luftim të inflacionit.

Në një konferencë për media, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit me Këshillin Grevist, ka thënë se nuk është e vërtetë që qeveria e tij nuk ka lëvizur asnjëherë nga qëndrimet e veta.

Kurti është shprehur se i ka dhënë disa propozime për sindikalistët, dhe se sipas Kurtit, këta të fundit kanë thënë se do të konsultohen me anëtarësinë nëse do t’i pranojnë apo jo, por një gjë të tillë sipas Kurtit nuk e kanë bërë, sepse menjëherë në konferencë për media kanë deklaruar se greva do të vazhdojë.

Kurti ka thënë se Jasharajt dhe kolegëve të tij u ka propozuar që të jenë pjesë e diskutimeve në lidhje me Ligjin e Pagave.

“Ne ua thamë edhe tri gjëra sot, për të cilët ata neve na premtuam se do ta pyesin anëtarësinë. Porsa dolën nga takimi, deklaruan se greva vazhdon, kur e pyetën anëtarësinë? Oferta shtesë ishte kjo, do të jenë pjesë përmbajtësore e diskutimeve publike për ligjin mbi pagat dhe ne atyre ua dhamë lajmin të parët se këtë javë do të fillojë diskutimi publik”, ka thënë ai.

Kurti bëri të ditur se kanë kërkuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që bashkë me qeverinë ta bëjnë reformën në sistemin pensional.

Greva në arsim po vazhdon që nga 25 gushti i këtij viti.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika