Sfidat energjetike dhe shkëmbimi në mes KEK dhe KESh, fokusi i takimit Kurti-Rama

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Shqipërisë për një takim të paparalajmëruar me homologun e tij, Edi Rama. Megjithëse asnjëri nga ta nuk ka dhënë detaje pas përfundimit të takimit, se çfarë ishte fokusi i takimit ka treguar Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Kryeziu

Kryeministri Kurti dhe Kryeministri Rama pas takimit në Tiranë (Autor i fotos: TV Klan)

Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim të paparalajmëruar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka thënë se theks të veçantë në takim patën sfidat energjetike si dhe shkëmbimi i energjisë në mes Korporatës Energjetike të Kosovës dhe Korporatës Energjetike të Shqipërisë.

“Përgjatë këtij takimi dy kryeministrat kanë diskutuar për çështjet e politikave publike e qeveritare dhe socio-ekonomike në Kosovë e Shqipëri, me theks të veçantë në sfidat energjetike dhe shkëmbimin që po bëjnë KEK me KESh”, ka deklaruar Kryeziu.

Kryeministri Kurti ishte takuar me homologun e tij nga Shqipëria, Ramën në Tiranë, takim ky i cili kishte zgjatur prej afro 90 minutash.

Një takim i tillë në mes Kurtit dhe Ramës nuk ishte paralajmëruar.

Në një konferencë për media pas takimit me Këshillin Grevist të martën, Kurti lajmëroi se duhej të largohej për disa takime urgjente. Më vonë, i njëjti ka udhëtuar drejt Tiranës për t’u takuar me homologun e tij.

Ndërkaq, gjatë ditës së martë, po në këtë ditë që Kurti e vizitoi Ramën, ka ndodhur një sulm kibernetik në Telekomin  e Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini drejtori teknik i Telekom-it, Halil Krasniqi.

Krasniqi ka bërë të ditur se janë në dijeni për llojin e këtij sulmi, por këtë nuk mund ta tregojnë për publikun për arsye të sigurisë.

Ditë më parë si Kosova, ashtu edhe Shqipëria ishin cak i sulmeve kibernetike. Sulmet në Shqipëri, tashmë është konfirmuar se kanë ardhur nga shteti i Iranit, me ç’rast, Shqipëria i ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me shtetin në fjalë.

Po ashtu, ditë më parë të dy qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Shqipërisë e kishin përuruar Abetaren e përbashkët për të dyja vendet.

 

Shija e redaktorit

Hysni Gucati, kryetar i ri i OVL-UÇK-së

Delegatët Kuvendi i pestë zgjedhor i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ia kanë besuar një mandat 4 vjeçar Hysni...

Walker: Ajo çka ndodhi në Reçak, ndryshoi Ballkanin

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William G. Walker, ka rikujtuar masakrën së Reçakut, duke e cilësuar atë si një moment...

“Reçak: Historia e një krimi lufte”, nga William G. Walker...

Edhe pak ditë na ndajnë nga dita kur libri “Reçak: Historia e një krimi lufte” nga William Walker-i do të shohë dritën e botimit,...

Të fundit nga rubrika