Familja Zhegrova nga fshati Sibovcë i Komunës së Podujevës, kanë hapur dyert për ngushëllim.
Mbrëmja e ditës së 12 shtatorit ishte një datë tragjike për familjen Zhegrova. Një telefonat e marr nga një person ishte njoftimi se djali i tyre 22 vjeçar ishte therur me thikë, rrugës duke u kthyer në shtëpi.
“Ngjarja ka ndodh dje rreth orës 09:00 të mbrëmjes. Amiri kishte qenë duke u kthyer në shtëpi. Ai u taku në rrugë rastësisht më personin në fjalë dhe mes rrugës ai e ka kry aktin dhe është largu”, ka thënë Endrit Zhegrova- familjar.
Pas këtij akti, i ndjeri është dërguar në Qendrën Klinike Universitare dhe rreth orëve të para të mëngjesit nga plagët e marra, 22 vjeçari ka ndërruar jetë.
Motivet se pse ka ardhur deri të zënka e pastaj edhe akti, familjaret thonë se nuk e dinë.
Sipas tyre i ndjeri të dyshuarin as që e ka njohur më parë.
“Nuk kemi pas konflikt asgjë më atë persona. Amiri as nuk e ka njohur atë person ma herët”, Endrit Zhegrova- familjar.
E tërë ngjarja sipas familjareve dhe Policisë ka ndodhur në mesin e rrugës, Podujevë-Gllamnikë.
“Pjesa mbrapa nesh është vendi ku mbarem ka ndodhur rasti tragjik e nga i cili ka humbur jetën 22 vjeçari nga Sibovci i Podujevës”.
Lidhur më këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka dhënë detaje përmes një njoftimi për media.
E tërë ngjarja, sipas Policisë nisi për një zënke në trafik e cila përfundoj më fatalitet.
“Lëndime të rënda trupore ka pësuar viktima mashkull kosovar pasi i njëjti dyshohet se pas një mosmarrëveshje në trafik, është goditur me thikë nga një person i dyshuar mashkull i panjohur për të. Viktima është dërguar në tretman mjekësorë në QKUK, por nuk ka arritur t’iu mbijetoj lëndimeve të shkaktuara dhe ka ndërruar jetë”, komunikata e Policisë së Kosovës.
Derisa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, personi i dyshuar ende nuk është arrestuar.
Nga Prokuroria Themelore, kanë bërë të ditur se janë duke u ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme.
“Më urdhër të prokurores kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Vrasja e rëndë”, si dhe, trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për obduksion. Në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për arrestimin e personit të dyshuar dhe ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”, ka theksuar Laureta Ulaj- Prokuroria Themelore Prishtinë.
Familja e dorasit të dyshuar është vetëm pak kilometra larg shtëpisë së të ndjerit në Podujevë.