Dy persona janë arrestuar gjatë 24 orëve të fundit në Skenderaj, për shkak të armëmbajtjes pa leje.
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas kontrollit të detajuar, janë konfiskuar dy armë zjarri.
“Në 24 orët e fundit, njësitet policore në Skenderaj kanë konfiskuar dy armë zjarri”.
“Një armë e llojit pistoletë me shtatë fishekë është konfiskuar në rrugën “Ilaz Kodra”, pasi gjatë kontrollit të detajuar te i dyshuari është gjetur arma për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje për armë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas njoftimit të policisë thuhet se si rrjedhojë e hetimit të një rasti të mëhershëm, në fshatin Runikë , është konfiskuar një armë e llojit pushkë gjuetie, për të cilën i dyshuari nuk posedonte leje .
“Lidhur me të dy rastet, në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar dy persona, ndërsa pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt”, vijon njoftimi.
Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll të paautorizuar të armës’.