Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), ka kërkuar leje nga gjykata për ndryshimin e aktakuzës, për rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për të hequr pretendimet e krimeve të kryera kundër së paku një viktime gjatë vitit 1999 në Ferizaj.
Përmes një kërkese drejtuar gjykatës, ZPS ka konsideruar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar pretendimet e këtij rasti.
“Nga vetë natyra e tyre dhe në këtë fazë të procedimit, ndryshimet e kërkuara nuk paragjykojnë ose nuk janë në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarit dhe duhet të aprovohen. Duke vënë në dukje afatin e 30 shtatorit 2022 për ngritjen e një aktakuze të ndryshuar, ZPS-ja kërkon, në interes të efikasitetit, një orar të përshpejtuar të informimit për të mundësuar ngritjen e një aktakuze të ndryshuar që përfshin gjithashtu çdo ndryshim të autorizuar si rezultat i kësaj kërkese”, thuhet në këtë shkresë, shkruan BetimipërDrejtësi.
Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, u janë rënduar akuzat për krime të luftës, kësaj here nën pretendimet se janë kryer në fshatrat Semetishtë e Budakovë të Suharekës dhe Gjilan.
Në anekset e aktakuzës, pa përmendur emra, thuhet se pjesëtarët e UÇK-së u kanë shkaktuar viktimave lëndime fizike e psikike.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime serioze mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të viktimave duke i ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së, gjithashtu, u shkaktuan viktimave vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tyre njerëzor, duke i keqtrajtuar dhe/ose përmes kushteve të cilave iu nënshtruan viktimave gjatë ndalimit të tyre”, thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara.
Për këto aneksa të reja të aktakuzës, Dhomat e Specialzuara kanë caktuar katër seanca, në të cilat të akuzuarit do të deklarohen për fajësinë.
Deri më tash, asnjë nga të akuzuarit e Gjykatës Speciale nuk e ka pranuar fajësinë. Të gjithë, pa përjashtim, janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues.
Ish-krerët e UÇK-së po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga muaji nëntor i vitit 2020.
Aktakuza ndaj tyre, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020, ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë, janë deklaruar të pafajshëm.