Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën e 14 shtatorit, në fshatin Rracaj të Gjakovës, antidroga e Policisë së Kosovës në Gjakovë ka zbatuar urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda.
Policia njofton se me këtë rast janë kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse, në pronësi dhe shfrytëzim nga një person i dyshuar mashkull kosovar.
“Gjatë kontrollit në oborrin e tij, përkatësisht tek ara me misër janë gjetur të kultivuara tridhjetë e tri bimë narkotike të llojit kanabist sativa me gjatësi prej 190 centimetër deri 290 centimetër”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar në cilësinë e provës materiale dëshmitë si në vijim: një sasi e substancës narkotike e dyshuar si marihuanë, e cila ishte duke u terur me peshë rreth 448 gram, një qese najloni e mbushur me substancë narkotike e dyshuar si marihuanë me peshë rreth 112 gram, e cila është gjetur në veturën e të dyshuarit.
Tutje gjatë kontrollit janë gjetur një peshore elektronike, mostër nga bima e dyshuar narkotike dhe mostër nga bima e dyshuar narkotike.
“Lidhur me këtë është arrestuar i dyshuari i cili ka kultivuar bimët narkotike. Bimët narkotike janë tërhequr dhe asgjësuar përmes djegies”.
Për rastin e ndodhur është njoftuar prokurori kompetent në Gjakovë, i cili ka udhëzuar që të iniciohet rasti për veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, ndërsa personi i dyshuar ndalohet për 48 orë, për procedurë të mëtejme ligjore.