Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se agresioni rus në Ukrainë do të jetë i gjatë.
Presidenti amerikan, të martën e 13 shtatorit, ka deklaruar se është e vështirë të thuhet nëse Ukraina ka arritur një pikë kthese në luftën gjashtëmujore.
“Është e qartë se ukrainasit kanë bërë përparim të rëndësishëm, mirëpo mendoj se lufta atje do të marrë ende kohë”, ka thënë Biden.
Nga Shtëpia e Bardhë është thënë se SHBA-ja mund të shpallë një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën gjatë ditëve në vijim.
“Forcat ruse i kanë braktisur pozicionet mbrojtëse, veçanërisht në dhe rreth Kharkivit”, ka thënë një zëdhënës i SHBA-së.
Ndërkaq, Ukraina ka vendosur synimin e saj për ta çliruar të gjithë territorin e pushtuar nga forcat pushtuese ruse, pasi i ka kthyer ato në një kundërofensivë të shpejtë në verilindje.
Në një fjalim të mbrëmjes, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se rreth tetë mijë km katrorë janë çliruar deri më tani.
“Masat e stabilizimit” kanë përfunduar në rreth gjysmën e atij territori, është shprehur Zelensky, teksa shtoi se “në një zonë tjetër të çliruar të përmasave të njëjta, masat stabilizuese janë ende në vazhdim”, shkruan The Guardian.
Në anën tjetër, zëvendësministrja e mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Malyar, ka theksuar se 150 mijë banorë janë çliruar nga sundimi rus në zonën e Balakliia (qendër kjo e rëndësishme e furnizimit ushtarak të marrë nën kontroll nga forcat ukrainase në fund të javës së kaluar).
Ndërkohë Ukraina feston fitimet që ka bërë ushtria e saj në kundërsulmin e saj dramatik, zyrtarët mbeten stoikë në lidhje me sfidat përpara në territorin e ripopulluar rishtazi.
Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se kanë gjetur një dhomë torture të ngritur nga ushtria ruse në qytetin Balakliia tani të çliruar.
Serhiy Bolvinov, shef i departamentit të hetimit të policisë kombëtare të rajonit të Kharkiv, ka thënë se 40 persona janë arrestuar gjatë okupimit.
Ndryshe, Rusia ka shpenzuar fshehurazi më shumë se 300 milionë dollarë që nga viti 2014 për t’u përpjekur të ndikojë te politikanët dhe zyrtarët e tjerë.
Antony Blinken, sekretar i shtetit i SHBA-së, ka thënë se është i shqetësuar se Rusia mund të përpiqet të nxisë trazira në konfliktin midis Azerbajxhanit dhe Armenisë në mënyrë që të shpërqendrohet nga Ukraina.
Ai shtoi se Rusia gjithashtu mund ta përdorë ndikimin e saj në rajon për të ndihmuar në “qetësimin e gjakrave”.