Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, të mërkurën e 14 shtatorit është takuar me të dërguarin e posaçëm të Qeverisë gjermane për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Në këtë takim është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe për liberalizimin i vizave.
“Gjatë takimit u diskutua për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, me ç’rast kryetari Abdixhiku vlerësoi lart angazhimin e shtuar të Qeverisë gjermane në proces të dialogut si dhe në çështjen e liberalizimit të vizave”, shkruhej në postimin e LDK-së.
Ndërkaq, temë diskutimi ishte edhe procesi i Berlinit, ku Abdixhiku ka thënë se LDK mbështet bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe se është gjithmonë e gatshme të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë.
“Temë e diskutimit ishte edhe Procesi i Berlinit ku kryetari Abdixhiku rikonfirmoi që LDK mbështet bashkëpunimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor brenda Procesit të Berlinit, ku të gjitha vendet trajtohen barabarësisht”.
Sipas njoftimit, LDK mbetet e përkushtuar dhe e gatshme për bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë për proceset jetike të vendit.