Përfaqësuesi Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë më të suksesshëm Procesin e Berlinit.
Po ashtu, ai e ka quajtur Kurtin mik dhe partner, dhe ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Dje u takova me Albin Kurtin në Prishtinë. Gjithmonë është mirë të jesh në Kosovë dhe të flasësh me të si mik e partner. Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë të suksesshëm Procesin e Berlinit. Bundestagu gjerman mbështet dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Mirosllav Lajçak në të gjitha mënyrat”, ka shkruar Sarrazin në Twitter.
Yesterday I met with @albinkurti in #Pristina. Always great to be in #Kosova and to talk with him as a friend and partner. #Germany and #Kosovo want to make the #BerlinProcess successful. @BundesregDE supports the #EU led dialogue and @MiroslavLajcak by all means. @GERonWEB https://t.co/L8KAYwKQzy
— Manuel Sarrazin (@ManuelSarrazin) September 15, 2022
Takimin e së mërkurës e kishte bërë të ditur Zyra e Kryeministrit, në njoftimin për media thuhej se Kurti kishte shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Në takim ishte diskutuar për marrëdhëniet rajonale, duke theksuar rëndësinë e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Gjithashtu, Kurti ritheksoi se qëllimi i dialogut nga i cili duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme me njohjen reciproke në qendër, sipas njoftimit nga zyra e kryeministrit.
Ndërkaq, Kurti, të mërkurën është takuar edhe me Ambasadorin e Shtetit të Katarit, Ali bin Hamad Al Marri, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe për mundësitë e investimeve në Kosovë.
Kurti takohet me emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, diskutojnë për Procesin e Berlinit