Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka njoftuar se më tre nëntor të këtij do të mbahet një konferencë në Berlin, në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se Gjermania dëshiron që Kosova dhe Serbia të japin kontributin e tyre në këtë proces.
“Konferenca e 3 nëntorit në Berlin si pjesë e Procesit të Berlinit do të jetë një mundësi për përparim që nuk duhet ta humbasim. Gjermania e dëshiron Kosovën e Ballkanin Perëndimor në BE dhe llogarit në Kosovën dhe Serbinë që të kontribuojnë në proces në mënyrë konstruktive”, ka shkruar ai.
The conference on 3rd November in Berlin as part of the #BerlinProcess will be an opportunity for progress that we must not miss. Germany wants KOS/WEB6 in the EU and counts on both KOS/SRB to contribute to the process constructively. https://t.co/bqcxuMkxd1
— Ambassador Jörn Rohde (@GermanAmbKOS) September 15, 2022
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të mërkurën ka pritur në takim emisarin e gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Kurti ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e integrimit evropian të Kosovës.
Ai ka vlerësuar angazhimin e Sarrazin dhe rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet rajonale, duke theksuar rëndësinë e jetësimit të tregut të përbashkët rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit.
Ndërkaq, përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, ka thënë se Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë më të suksesshëm Procesin e Berlinit.
Po ashtu, ai e ka quajtur Kurtin mik dhe partner, dhe ka mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga Bashkimi Evropian.
“Dje u takova me Albin Kurtin në Prishtinë. Gjithmonë është mirë të jesh në Kosovë dhe të flasësh me të si mik e partner. Gjermania dhe Kosova duan ta bëjnë të suksesshëm Procesin e Berlinit. Bundestagu gjerman mbështet dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe Mirosllav Lajçak në të gjitha mënyrat”, ka shkruar Sarrazin në Twitter.