Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen me thikë të 22-vjeçarit në Komunën e Podujevës, është vetëdorëzuar në polici.
I dyshuari me inicialet O.Zh, sipas policisë, është i moshës 25-vjeçare, i cili me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Pas një pune të intenzive hetimore, policia ka arritur që të identifikojë personin e dyshuar lidhur me vrasjen e rëndë që ka ndodhur me datën 12.09.2022 në fshatin Gllamnik të Podujevës. Kërkimet e vazhdueshme për arrestimin e tij nga ana e policisë, kanë bërë që personi i dyshuar O.Zh. mashkull 25 vjeç, sot të dorëzohet në polici. Pas intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, personi i dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Më 13 shtator të këtij viti, një person është vrarë me thikë në Komunën e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje në trafik.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se i dyshuari dhe viktima nuk e kanë njohur njëri-tjetrin.
Sipas policisë, viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKUK, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
Rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 20:55, dhe është cilësuar si vrasje e rëndë.