“Situatë emergjente e tejskajshme në Tropojë”, kështu e ka vlerësuar situatën nga vërshimet, kryetari kësaj komune, Rexh Byberi.
Sipas të pari të kësaj komune, gjatë dy ditëve të fundit, ka rënë shi i shoqëruar me stuhi e rrebeshe, ku si pasojë ka shkaktuar dëme të mëdha në Tropoje.
Ai ka bërë të ditur se ka dalë së bashku me stafin tij që nga mesnata në Njësinë Administrative Bytyçi, dhe janë duke e monitoruar situatën.
“Jo vetëm rrugët, kanalizimet, janë të tejmbushura, por nga gërryerjet dhe shembjet e mëdha, janë në rrezik banesat e qytetarëve”.
“Gjendja më alarmante është në fshatin Vlad, por pothuajse në të gjithë territorin e Bashkisë, përshkallëzimi po shkon drejt një katastrofe natyrore”.
“Apeloj në mënyre urgjente jo vetëm pranë institucioneve përgjegjëse shtetërore, por dhe te secili banor i Tropojës për kujdes të shtuar dhe solidaritet”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes nga “rezervuarët e tejmbushur, të cilët rrezikojnë në raste si ky”.
Byberi ka thënë se është pranë qytetarëve kurdo që ata gjenden në këso vështirësi.