Qeveria e Zelandës së Re do të dërgojë aeroplanë në Evropë të tipit C-130 Hercules, për të ndihmuar popullin e Ukrainës.
Gjithashtu Zelanda ka bërë të ditur se do të sigurojë miliona dollarë për të armatosur ushtarët ukrainas.
Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, në një konferencë për media të hënën e 11 prillit, njoftoi se një kontingjent prej 50 punonjësish të Forcave të Mbrojtjes të Zelandës së Re do të dërgohet në Evropë për të ndihmuar në furnizimin e Ukrainës, derisa kjo e fundit lufton agresionin rus prej 7 javë rresht.
“Zelanda e Re do të kontribuojë me 13 milionë dollarë shtesë për mbështetjen ushtarake ligjore dhe të të drejtave të njeriut, duke përfshirë 7,5 milionë dollarë për të kontribuar në prokurimin e armëve dhe municioneve, nëpërmjet Mbretërisë së Bashkuar”, ka thënë Ardern.
Nga fondet e reja, 4.1 milion dollarë do të sigurohen në mënyrë që ushtria e Ukrainës të ketë akses në satelitët komercialë, “të cilët do t’i ndihmojnë ata të kuptojnë dhe t’i përgjigjen veprimeve të Rusisë në fushën e betejës”.
Një tjetër milion dollarë do t’i jepet Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut dhe 500 mijë dollarë Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të mbështetur një hetim mbi krimet e luftës ruse.
Rusia ka zhvilluar një luftë brutale kundër Ukrainës për gati dy muaj dhe pasi dështoi në marrjen e kryeqytetit Kiev, javët e fundit ka kaluar në një fushatë ushtarake në lindje të vendit.
Shefi i Forcave të Mbrojtjes, Kevin Short ka thënë se Ukraina kishte arritur ta mbroj shumë mirë vendin e tyre.
Ndihma ushtarake për Evropën nga Zelanda e Re do të vazhdojë përmes Britanisë së Madhe, por nga kabineti i kryeministres kanë bërë të ditur se trupat e tyre nuk do të futen në Ukrainë dhe as nuk do të marrin pjesë në luftime në front.
“Në asnjë moment ata nuk do të hyjnë në Ukrainë, e as nuk u është kërkuar”, tha Ardern.
Zelanda e Re gjithashtu ka vendosur një tarifë prej 35% për të gjitha importet ruse dhe po zgjeron ndalimet ekzistuese të eksportit për të përfshirë edhe produktet industriale që janë të lidhura ngushtë me industritë “strategjike” ruse.