Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë e Teknologji (SBAShK), ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do dialog dhe as zgjidhje për kërkesat e grevistëve. Sipas SBAShK-ut, Qeveria Kurti po vazhdon me rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit dhe linçimit përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen nga militantë nëpër rrjetin social, Facebook.
Përmes një reagimi në Facebook, SBASHK-u ka shkruar se një situatë e tillë po favorizon Kurtin, dhe se veprime të tilla, nuk do të bëheshin nga një kryeministër që e do vendin e tij.
“Ikje nga dialogu me sindikatat, që pushteti do t’i shohë të shuara, e vizitat nëpër komuna me dhembje të rrejshme për situatën dhe për fëmijët që nuk janë në shkollë e për qytetarë që nuk po mund të marrin një dokument në komunë janë rrugëtim i gabuar i qeverisë. Në vend të kësaj duhet dialogu i sinqertë e në prani të medieve të nderuara për të dalë nga kjo situatë. Por, mbase kjo situatë po i konvenon Kurtit dhe qeverisë së tij. Një kryeministër që vërtet e do vendin e tij kurrë nuk do t’i nënshtrohej tekave të tij, që në vend të debatit e zgjidhjes së kërkesave të grevistëve, të merrte një fjali e të përqeshte atë që shkoi në takim bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevist e që kishin qëllimin më të mirë që të debatohej sinqerisht dhe që të arrihej te marrëveshja e pranueshme”, ka shkruar SBAShK-u.
Krahas kritikave për Kryeministrin Kurti, SBAShK-u ka thënë se një numër i mësimdhënësve, të cilët sipas tyre, ia kanë bërë qejfin pushtetit, janë kthyer në punë dhe kjo mbetet një zgjedhje e lirë e tyre, pa lënë anash edhe ata që vazhdojnë të mbështesin grevën.
“Ju numri tepër i vogël i kolegeve e kolegëve tanë që po ia bëni qejfin pushtetarëve sot, është zgjedhje e lirë juaja, por kolegët tuaj në kohë të tjera kur qeverisnin partitë që ata i kishin votuar, qëndronin të paluhatur në grevat e tyre për të realizuar kërkesat legjitime e duke ruajtur unitetin me moton Bashkë e në SBASHK. Mijëra të punësuar në arsim që nga çerdhet e deri në universitete dhe ata në shërbimet publike vazhdojnë të qëndrojnë dinjitetshëm në grevën që nuk e deshën, por erdhën deri te ajo pasi qeveria injoroi e po injoron dialogun serioz dhe kërkesat e tyre. Qeveria me angazhime konkrete e vendime të pranueshme për të dy palët duhet të dëshmohet se është e shqetësuar vërtet për gjendjen e krijuar. Ajo, në vend të kësaj, vazhdon me presionet ndaj grevistëve dhe tregon se qëllimi i saj, sikur është, futja e përçarjes dhe ngulfatja e zërit sindikal. Këtë askush nuk e ka arritur deri tani e nuk do ta arrijë dot as kjo qeveri”, thuhet në reagim.
“Edhe kjo sfidë do të kalojë dhe mjerë ata që do të ulin kokën nga turpi”, ka përfunduar SBAShK-u.
Para se të fillonte takimi me Presidenten Osmani disa javë më parë, Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kishte thënë se greva do të vazhdojë, pavarësisht pakos së re që kishte prezantuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Sipas kësaj pakoje, parashihej një mbështetje për sektorin publik me nga 50 euro deri në fund të vitit.
Më 13 shtator, Jasharaj ishte takuar edhe me Kryeminstrin Kurti. Pas takimit, Jasharaj bëri të ditur se përkundër tentimeve nuk pati dakordim me Qeverinë e Kosovës, në lidhje me ndaljen e grevës.
Greva vazhdon – përfundon pa marrëveshje takimi Jasharaj-Kurti
Greva në arsim është duke vazhduar që nga 25 gushti i këtij viti.