Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, ka vizituar komunën e Gjakovës pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet e shiut të shtunën e 17 shtatorit.
Peci, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se të gjitha dëmet e shkaktuara në bujqësi nga përmbytjet do të kompensohen nga MBPZHR-ja.
“Vizitova sot Komunën e Gjakovës së bashku me zv. Ministrin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Agon Dobruna, për t’u parë më nga afër me dëmet e shkaktuara në bujqësi nga reshjet që mbizotëruan këtë fundjavë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Peci.
Ministri gjatë vizitës në Gjakovë është takuar edhe me kryetarin e kësaj komune, Ardian Gjini, nga i cili është njoftuar më detajisht për zonat e prekura nga përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e shiut dhe ecurinë e procesit të vlerësimit të dëmeve.
Ndër të tjera, Peci ka shkruar se gjithë dëmet në fushën e bujqësisë do të kompensohen pasi të bëhet vlerësimi.
“Si Ministri, edhe këtë vit do të realizojmë kompensimin e dëmeve në bujqësi. Këto dëme do të kompensohen pas vlerësimit të raporteve që do t’i sjellin drejtoritë komunale për bujqësi”, ka vijuar ai.
Më tej, Peci ka shtuar se kompensimi i dëmeve do të fillojë në muajin nëntor.