Në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës(SHBA), ku ndodhet selia e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara(OKB) do të takohen ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve fqinje, Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe Greqisë, Nikos Dendias.
Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka njoftuar se nga data 19-23 shtator, përfaqësuesi i Jashtëm do të zhvillojë takime shumëpalëshe dhe dypalëshe, ku një nga këto takime do të jetë në mes të Dendias dhe Osmanit.
Sipas Komunikatës së MPJ-së greke, në këto takime pritet diskutimi i “çështjeve të forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, çështje me interes rajonal dhe global, si pushtimi rus në Ukrainë, do të diskutohet edhe kiza energjetike, zhvillimet në Ballkanin Perëndimor si dhe tema të tjera”.
Në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, do të marrë pjesë së bashku me ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani nga 19 deri më 24 shtator.
Ndërsa, i pari i Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë edhe në “darkën transatlantike të ministrave të jashtëm të NATO-s, do të marrë pjesë në takimin e Kartës së Adriatikut A5, takimin e organizuar nga Procesi i Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP) dhe Këshilli për Bashkëpunim Rajonal, si dhe në takimin e vendeve të Iniciativës së Evropës Qendrore (CEI) dhe në forume të tjera të rëndësishme ndërkombëtare për bashkëpunim”.