Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve vlerësojne se shkresa e Avokatit të popullit nuk ka sjellur asgjë të re.
Përmes një njoftimi për media, SBASHK ka theksuar se kryetarët e niveleve komunale sindikale e të universiteteve janë informuar nga anëtarë të Këshillit Grevist të BSPK-së për dy takimet me Avokatin e popullit, që janë mbajtur me iniciativën e tij ,dhe më pas kanë analizuar në detaje shkresën e arritur nga Avokati i popullit.
“Vlerësimi i të gjithë pjesëmarrësve në këtë takim konludoi në atë se kjo shkresë nuk solli asgjë të re dhe prandaj greva vazhdon”, thuhet në njoftim.
“Ata, pasi kanë bërë një analizë të situatës aktuale, edhe njëherë kanë kritikuar qëndrimin e gabuar të Qeverisë karshi kërkesave të tyre dhe vlerësojnë se Qeveria sikur nuk do që greva të përfundojë, ngase nuk ka bërë e nuk po bën asnjë angazhim serioz për realizimin e kërkesave të grevistëve, respektivisht negocimin e tyre”, vijon njoftimi.
Po ashtu, në njoftim bëhet e ditur se të hënën e 19 shtatorit, SBASHK do të përgatis një shkresë duke i dhënë përgjigje shkresës dhe të njëjtën do ta adresojë te Avokati i popullit.
SBASHK ka potencuar se Qeveria “vazhdon me deklarime e angazhime për presion të vazhdueshëm ndaj grevistëve”.
Në këtë komunikatë për media, SBASHK ka potencuar se po vazhdon takimet e rregullta konsultative me kryetarët e niveleve komunale sindikale dhe të universiteteve për ta analizuar situatën aktuale dhe për t’u konsultuar se si do të veprohet më tutje, bazuar në zërin sindikal të grevistëve.
“Pjesëmarrësit e këtij takimi janë informuar se drejtoresha e përgjithshme e Unionit të Sindikatave të Arsimit të Evropës (ETUCE) i ka dërguar shkresë Kryeministrit Kurti për një takim dhe është në pritje të konfirmimit, me qëllim që të udhëtojë në Kosovë, pasi ka ndërprerë të gjitha vizitat dhe angazhimet e tjera, me qëllim që të jap kontribut me vlerë në takim me kryeministrin Kurti për arritjen e një marrëveshjeje, që do t’i realizonte kërkesat legjitime të grevistëve në sektorin e arsimit dhe në atë të shërbyesve civil”.
Ndryshe, SBASHK ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk do dialog dhe as zgjidhje për kërkesat e grevistëve. Sipas SBAShK-ut, Qeveria Kurti po vazhdon me rrugëtimin e vetë të përbuzjes, nënçmimit dhe linçimit përmes deklaratave, që pastaj shumëfishohen e pasurohen nga militantë nëpër rrjetin social, Facebook.
SBASHK-u ka shkruar se një situatë e tillë po favorizon Kurtin, dhe se veprime të tilla, nuk do të bëheshin nga një kryeministër që e do vendin e tij.
“Ikje nga dialogu me sindikatat, që pushteti do t’i shohë të shuara, e vizitat nëpër komuna me dhembje të rrejshme për situatën dhe për fëmijët që nuk janë në shkollë e për qytetarë që nuk po mund të marrin një dokument në komunë janë rrugëtim i gabuar i qeverisë. Në vend të kësaj duhet dialogu i sinqertë e në prani të medieve të nderuara për të dalë nga kjo situatë. Por, mbase kjo situatë po i konvenon Kurtit dhe qeverisë së tij. Një kryeministër që vërtet e do vendin e tij kurrë nuk do t’i nënshtrohej tekave të tij, që në vend të debatit e zgjidhjes së kërkesave të grevistëve, të merrte një fjali e të përqeshte atë që shkoi në takim bashkë me anëtarë të tjerë të Këshillit Grevist e që kishin qëllimin më të mirë që të debatohej sinqerisht dhe që të arrihej te marrëveshja e pranueshme”, ka shkruar SBAShK-u.
Krahas kritikave për Kryeministrin Kurti, SBAShK-u ka thënë se një numër i mësimdhënësve, të cilët sipas tyre, ia kanë bërë qejfin pushtetit, janë kthyer në punë dhe kjo mbetet një zgjedhje e lirë e tyre, pa lënë anash edhe ata që vazhdojnë të mbështesin grevën.
Para se të fillonte takimi me Presidenten Osmani disa javë më parë, Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, kishte thënë se greva do të vazhdojë, pavarësisht pakos së re që kishte prezantuar kryeministri i vendit, Albin Kurti, së bashku me Ministrin e Financave, Hekuran Murati. Sipas kësaj pakoje, parashihej një mbështetje për sektorin publik me nga 50 euro deri në fund të vitit.
Më 13 shtator, Jasharaj ishte takuar edhe me Kryeminstrin Kurti. Pas takimit, Jasharaj bëri të ditur se përkundër tentimeve nuk pati dakordim me Qeverinë e Kosovës, në lidhje me ndaljen e grevës.